Mijëra njerëz u mblodhën në sheshin “Times Square” të New York-ut në SHBA për të kundërshtuar vendimin e presidentit të SHBA-së Donald Trump, me të cilën e njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në protesta dolën një numër i madh i palestinezëve dhe muslimanëve të tjerë që jetojnë në SHBA. Ata brohorisnin “Palestina do të lirohet”, “Izraeli terrorist, Palestina e lirë”, “Rroftë Palestina”. Gjithashtu mbanin edhe pankarta me mbishkrimin “Jerusalmi është vija e kuqe”.

Në mesin e protestuesve ishte 20-vjeçarja Fatime. Ajo tha se është me popullin palestinez. I të njëjtit mendim ishte edhe Ahmad M. (22), i cili tha se qeveria e Trumpit duhet të rishikojë këtë vendim.

Muhammed para 10 vitesh kishte ardhur në SHBA për të studiuar, ndërsa ishte i mendimit se racizmi është në rritje pas ardhjes së Trumpit si president i vendit. Protestës mbështeje i dhanë edhe hebrenjtë ortodoksë.

Presidenti Donald Trump të mërkurën njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe paralajmëroi zhvendosjen e ambasadës nga Tel Avivi në Jerusalem përkundër kundërshtimit të fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar.