Së paku 38 persona janë lënduar kur ushtarët izraelitë gjuajtën sot në demonstratat në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor, të cilët u tubuan pas vendimit të SHBA-së për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Mijëra demonstrues dolën në rrugët e qyteteve Hebron dhe Al Bireh të Bregut Perëndimor, duke thirrur “Jerusalemi është kryeqytet i Palestinës”, ndërsa disa demonstrues i gjuajtën me gurë ushtarët izraelitë.

Ushtarët izraelitë reaguan ndaj provokimeve me municion ushtarak dhe plumba gome. Me municion ushtarak u lënduan 11 demonstrues, përderisa 20 janë lënduar me plumba gome, kumtuan mjekët.

Autoritetet palestineze bënë thirrje për grevë të përgjithshme në shenjë proteste kundër vendimit të djeshëm të presidentit amerikan, Donald Tramp për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Ministria palestineze e Arsimit ditën e sotme e shpalli ditë jopune, dhe u bëri thirrje mësimdhënësve, nxënësve dhe studentëve të marrin pjesë në protestat në Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe lagjet palestineze në Jerusalem.

Palestinezët mbrëmë i fikën dritat e bredhit të Vitit të Ri afër Kishës së Lindjes së Krishtit në Betlehem, në shenjë proteste kundër vendimit të Trampit.

Grupi islamist palestinez Hamas bëri thirrje për kryengritje të re – Intifadë kundër Izraelit, pasi që presidenti amerikan Donald tramp e njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

“Duhet të bëjmë thirrje dhe të punojmë në fillimin e Intifadës kundër armikut cionist”, deklaroi në Gazë lideri i Hamasit, Ismail hania, i cili vendimin e Trampit e quajti “shpallje të luftës”.

Sipas tij, ai vendim i ka vënë fund marrëveshjeve paqësore të Osllos dhe e ka “minuar procesin paqësor në Lindjen e Afërt”.