Akuza për prishje të qetësisë publike dhe kundërshtim të policisë, në krye të listës gjenden Kryemadhi, Paloka e Noka

Si u dhunua dhe u sha në sallë Kejdi Mehmetaj nga deputeti i PS-së, lushnjari Bujar Çela. Prokurori do të hetojë vajzën dhe jo atë që e goditi

Ata u mbajtën për orë me radhë në ambientet e policisë ndërsa nuk u bë me dije se janë arrestuar deri paraditen e djeshme kur policia tha se në bashkëpunim me prokurorinë kishte verifikuar rastin e protestës së të hënës dhe nga aty kishin nxjerrë dhe përgjegjësit kryesor. Ata janë njerëz të zakonshëm që u gjendën para Kuvendit duke protestuar për shkak se deputetët e parlamentit kishin vendosur të shkelnin kushtetutën për zgjedhjen e kryeprokurorit të vendit, një post i përkohshëm. Po ndërsa protestuesit u mbajtën në qeli nën arrest dhe nën dy akuza, mësohet se një procedim është referuar edhe për deputetët e opozitës, konkretisht deputetët e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Por ajo që bie në sy, në listën e paraqitur ditën e djeshme nga Policia e Tiranës është mungesa e një deputeti të Partisë Socialiste, i cili është kapur nga kamerat teksa qëllonte deputeten e re të LSI, Kejdi Mehmetaj! E ndërsa Monika Kryemadhi, ishte e kuptueshme që do ishte pjesë e referimeve policore, në listë mungon edhe emri i ish-kryeministrit Berisha, edhe pse ai ishte personi që solli edhe përplasjet më të mëdha në sallën ku do të votohej kryeprokurorja që vinte nga Shkodra! Kështu, policia bëri me dije se ka nisur referim për procedim pikërisht për 10 deputetët që u përfshinë në sherr dje brenda ambienteve të parlamentit, ndërsa jashtë këtij ambienti, i përfshirë në hetim është edhe Enno Bozdo.

Reagimi i policisë

10 deputetë të opozitës janë proceduar në gjendje të lirë, për prishje të rendit dhe kundërshtim të Policisë. 6 nga deputetët e kallëzuar i përkasin Partisë Demokratike dhe 4 Lëvizjes Socialiste për Integrim. Edhe 2 protestues, njëri prej tyre, ndoshta protestuesi mitik i së djathtës janë proceduar në gjendje të lirë për të njëjtat akuza, ndërsa sipas policisë nga përplasja fizike mbetën të lënduar 6 efektivë, mes tyre edhe dy punonjëse policie.

Sipas të dhënave policore mësohet se edhe Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, që nuk është deputet, është proceduar. Edhe ndaj tij procedimi është në gjendje të lirë për “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”. Policia në njoftim e saj lë të kuptohet se vendimet për nisjen e procedimeve janë marrë në bashkëpunim me Prokurorinë, ndërsa për të arrestuarit thekson se mënyrë aktive ata kanë kryer veprime të dhunshme, si: hedhje të sendeve të forta, apo materialeve piroteknike dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë në përmbushjen e detyrës së tyre”!

Policia nuk bën me dije se cilat janë akuzat konkrete për të cilat janë referuar disa deputet, ndërkohë që nuk i veçon, por ata janë referuar në grup. Bie në sy fakti se nga grupi i LSI-së, tre të proceduarit janë të rinj të kësaj force politike, dy prej të cilave femra, ku njëra prej tyre u pa hapur teksa dhunohej në mënyrë brutale nga deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela. Ndërsa deputetja e re në moshë, pasi në fakt e ka mandatin e dytë te kjo parti politike, vajza ka reaguar ditën e djeshme publikisht duke bërë me dije se çfarë vërtet kishte ndodhur në atë moment mes saj dhe deputetit nga Lushnja, që kandidoi dhe fitoi si kryesocialisti i qytetit të Lushnjës.

Reagimi i të proceduarve

Kejdi Mehmetaj ishte e para që doli ditën e djeshme dhe foli për një incident të frikshëm që kishte ndodhur në sallën e Kuvendit, por pa u vu re në momentin e përplasjeve në Kuvend. Vajza tregoi se si deputeti i mazhorancës i kishte rënë me bërryl në fytyrë ndërsa kishte sharë vajzën. Këto fakte u bënë publike vetëm ditën e djeshme ndërsa deputetja i ka shkruar edhe ambasadës amerikane në lidhje me dhunën që ishte ushtruar ndaj saj. Po ashtu u tha se edhe një deputete tjetër që ishte përgjakur ndonëse sipas burimeve të policisë, deputetja Floida Kërpaçi, ka qenë duke ndihmuar një protestuese të gjakosur dhe është gjakosur pikërisht me gjakun e saj.

Por policia dhe as prokuroria nuk kanë dhënë asnjë fakt në lidhje me qytetarët e plagosur ditën e djeshme e aq më pak në lidhje me deputetët e opozitës që janë sulmuar në sallën e parlamentit. Në momentin e përplasjes mes Kejdi Mehemetajt dhe deputetit socialist, Çela, shikohen aty të pranishëm edhe gardistët, meshkuj dhe një femër, po që asnjë prej tyre nuk ndërhyjë të ndalojë burrin dhunues që është me mandat deputeti!

Po ashtu në lidhje me procedimet kanë reaguar edhe deputetët e tjerë e kryesisht të rinjtë e LSI-së të cilët duket se janë të habitur me dhunën e papritur me të cilën janë përballur ditën e hënë në seancën që do të mbahet mend si “seanca e zgjedhjes se PPP”!

Deputetët mësohet se ndër të tjera do të procedohen edhe për hedhjen e tymit në sallën e deputetëve, ndërkohë që Monika Kryemadhi, në cilësinë e kreut të LSI, mësohet se do të procedohet edhe për gjuajtjen që bëri në drejtim të Edi Ramës me këpucë, edhe pse për asnjë prej deputetëve, policia nuk ka dhënë shkeljet konkrete për secilin. Ndoka, Paloka e Strazimiri janë personat e përhershëm të cilët bëhen pjesë e procedimeve të tilla, ndërsa iu është bashkuar edhe një deputet i ri, që e ka mandatin e tij të parë!

Të proceduarit

Monika Kryemadhi LSI
Flamur Noka PD
Ervin Salianji PD
Endrit Brahimllari LSI
Kejdi Mehmetaj LSI
Floida Kërpaçi LSI
Klevis Balliu PD
Gent Strazimiri PD
Grida Duma PD
Edi Paloka PD

Si u mbajtën në qeli 6 protestuesit, policia iu mori “peng” emrat e tyre për 24 orë!

Janë shoqëruar 8 persona që ditën e hënë, ndërkohë që bëhet me dije se dy prej tyre janë lënë të lirë ndërsa gjashtë të tjerët janë arrestuar nën tri akuza të rënda. Ata janë të rinj, përveç njërit prej tyre. Ky është një person i njohur në fushën e krimit, ndërsa edhe policia vetë e ka përcaktuar si një njeri me precedent kriminal të mëparshëm. Ai në fakt është i gjykuar për gjobëvenie dhe për tentativë vrasjeje ndaj policisë. Ndërsa bëhet me dije se pesë personat e tjerë që janë mbajtur në pranga janë të rinj që nuk kanë asnjë precedent të mëparshëm penal.

Por policia, mësohet se ndërsa ka mbajtur në pranga këta 6 persona, duke lënë të lirë dy të tjerë, ku u mësua ditën e djeshme se njëri ishte Sali Lusha nga Tropoja, nëpër rrethe ka nisur shoqërimin e protestuesve të atyre zonave. Ditën e djeshme është bërë me dije se në disa rrethe janë gjetur disa persona që sipas policisë duhej të merreshin në pyetje. Të dhënat kanë folur për një sërë komisariatesh.

Burimet e policisë kanë bërë me dije se në Divjakë, Mallakastër e në disa zona të tjera janë shoqëruar persona që kanë qenë në protestë ku pasi janë marrë në pyetje janë lënë të lirë. Edhe pse policia nuk i tregon zyrtarisht këto të dhëna, bëhet me dije se policia është në kërkim të personit që ka plagosur policin Orgest Muçmata! Arrestimi sipas policisë Drejtoria e policisë së kryeqytetit theksoi se, aktualisht po vijon punën për identifikimin, edhe shumë personave të tjerë duke verifikuar edhe pamjet nga kamerat e sigurisë për t’i përdorur si prova materialë në gjykatë.

Si pasojë e veprimeve të dhunshme, pësuan dëmtime të konsiderueshme trupore 6 punonjës policie, të cilëve iu dha ndihma e parë dhe disa prej tyre vijojnë trajtimin mjekësor. Specialistët e Seksionit për Krimet ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në vijim të veprimeve për evidentimin, dokumentimin dhe kapjen e shtetasve që kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë gjatë protestës së opozitës të zhvilluar të hënën para Kuvendit.

Kështu sipas policisë saktësohet zyrtarisht që kanë bërë arrestimin në flagrancë, të: Renato Xhihanit, 19 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë; Ervis Hajredini, 21 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë; Igli Hasani, 24 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë; Fanol Prifti, 40 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë; Shyqri Proshka, 33 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë dhe Sokol Vuçeta, 46 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër (i dënuar më parë)!

Ky i fundit mësohet sipas policisë që është arrestuar në vitin 2004 pasi kishte qëlluar me breshëri kallashnikovi mbi një skuadër policie. Ai është gjykuar në dy gjykata, madje edhe te Krimet e Rënda bashkë me të vëllanë, pasi u akuzuan që të dy për atë ngjarje të rëndë. Por nuk dihet se kur është liruar, pasi gjendej ditën e hënë në protestë. Protestuesit janë mbajtur në polici dhe vetëm mesditën e djeshme deputetët e Partisë Demokratike janë kujtuar të shkojnë në Drejtorinë e Policisë dhe të kërkojnë të dhëna për fatin e të rinjve që gjenden në pranga.

Procedimi

Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit, një minoren 17 vjeç nga Tirana dhe Sali Lusha, 52 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë. Ata u lanë të lirë, ndërsa ndaj tyre ishte e njëjta akuzë si për të arrestuarit. Policia hezitoi të bënte publik emrat e tyre ditën e shoqërimit ndërsa Sali Lusha sapo doli nga ambientet e komisariatit tregoi se si kishin qenë orët e qëndrimit me policinë, ndonëse Lusha është personi që shoqërohet e ndalohet prej shumë vitesh, sidomos kur ka protesta Partia Demokratike që është opozitë. Kështu bëhet me dije se procedimi në gjendje të lirë i tyre u bërë pasi gjatë protestës kanë kryer veprime aktive në nxitjen e turmave dhe kanë ndihmuar me veprime aktive në prishjen e kordonit të Policisë, me qëllim hyrjen në ambientet e brendshme të Kuvendit.