Qytetarë të Vallandovës dhe Shkupit kërkuan nga Qeveria që ta ndërpresë ndërtimin e minierës “Kazandol” në rajonin e Vallandovës. Përmes iniciativës që sot ia dorëzuan Qeverisë, kërkuan nga kryeministri Zoran Zaev dhe kompetentët të shqyrtojnë vendimin e pushtetit të mëparshëm dhe me investitorin të gjejnë zgjidhje të përbashkët. Rreth 50 qytetarë para Qeverisë në Shkup u dhanë mbështetje banorëve të Vallandovës.

Luftojmë për ta mbrojtur mjedisin tonë jetësor dhe të garantojmë natyrë të sigurt dhe të shëndoshë për fëmijët dhe brezat tanë. T’i bëjmë thirrje pushtetit kushdo-qoftë ai, të mos i fusin gjërat nën tepih dhe mos t’i shtyjnë gjërat me forcë, meqë paratë nuk janë gjithmonë gjëja e vetme për të cilët duhet të luftojmë, por të luftojmë për jetë- deklaroi Zoran Velkovski, Iniciativa Civile.

Ne jemi këtu për t’u dhënë mbështetje dhe të solidarizohemi me qytetarët e jug-lindjes dhe konsiderojmë se kjo është e rëndësishme jo vetëm për ata, por edhe për qytetarët tjerë meqë të gjithë thithim ajrin e njëjtë, konsumojmë produkte bujqësore nga trualli i njëjtë, ndërsa problem serioz është edhe uji që ndotet- deklaroi Zhana Zhivadinoviq, Iniciativa Civile.

Sipas burimeve jozyrtare të Alsat M, prej javës së ardhshme investitori anglez- ukrainas dhe të gjitha palët e përfshira do të ulen në tavolinë të përbashkët me kryeministrin Zaev. Nuk përjashtohet mundësia që marrëveshja të ndërpritet.

Nëse minierat mbyllen, njëanshëm duhet si shtet të paguajmë mbi 70 milionë euro dëmshpërblim. Ekipi i ekspertëve i Qeverisë tashmë punon në aspektin juridiko- formal dhe presim që të gjendet zgjidhje e duhur, se si të dalim nga kjo situatë në interes të shëndetit të qytetarëve- bëjnë me dije nga Qeveria e RM-së.

Nga Qeveria konsiderojnë se një pjesë e marrëveshjeve të lidhura nga qeveria paraprake përmbajnë zgjidhje të dëmshme ekologjike. Kompania “Sardiç” pas hulumtimeve dyvjeçare, vitin e kaluar filloi me ndërtimin e kompleksit. Gjatë hulumtimeve gjeologjike është vërtetuar se ka rezerva bakri për 20 vite. Kjo kompani planifikon që në shtatë vitet e para të realizojë të ardhura prej rreth 135 milionë euro ose rreth 20 milionë në vit.