10 deputetë të Kuvendit do të procedohen në gjendje të lirë nga policia për protestën e kryer ditën e hënë nga opozita.

Deputetët akuzohen nga policia për prishje të rendit dhe kundërshtim të punonjësve të policisë.

Ndërkohë, 6 qytetarë janë arrestuar për trazirat e shkaktuara në protestën e thërritur nga opozita para godinës së Kuvendit, ndërsa dy të tjerë do të procedohen në gjendje të lirë.

Policia e Shtetit njoftoi pasditen e së hënës se gjatë protestës së paradites të opozitës kanë mbetur të lënduar 6 efektivë policie.

Policia e Shtetit sqaron se të lënduarit janë 3 policë të forcave “Shqiponja” dhe 3 efektivë të Komisariatit numër 1. Mes policëve të lënduar janë edhe dy femra.