Prokuroria Speciale e Kosovës, Drita Hajdari në konferencën për personat e zhdukur në Beograd, ka deklaruar se rezultate të kënaqshme në zbardhjen e fatit e të zhdukurve mund të arrihen vetëm me bashkëpunimin e palëve ndërluftuese, ndërsa mosbashkëpunimi vetëm do ta vazhdojë ankthin e familjarëve të cilët nuk e kanë asnjë minutë të qetë deri sa nuk zbardhet fati i të dashurve të tyre.

Ajo ka thënë se është jonjerëzore, e pamoralshme dhe e kundërligjshme që viktimat të ndahen në bazë të përkatësisë etnike sikur që është kundërligjshme siç është edhe e pamoralshme që kriminelët e luftës, në bazë të përkatësisë etnike të glorifikohen si heronj.

Hajdari më tej ka thënë se me pranimin e përgjegjësive për raste të krimeve të luftës nga UNMIK e EULEX, nga prokurorë vendorë kërkohet para së gjithash një përgjegjësi njerëzore si dhe kanë detyrim ligjor t’i ndjekim këto raste, deri në zbardhjen e plotë të tyre.

“Përkundër dëshirës dhe përkushtimit profesional që të nxirren para drejtësisë përgjegjësit e krimeve të luftës, në mesin e të cilëve është edhe zhdukja e personave që janë në një listë të gjatë e të zhdukurve, është  vështirë që të zgjidhen të gjitha këto raste, aq më parë që me kalimin e kohës mund të zbehet gatishmëria dhe vullneti për zgjidhje të këtyre rasteve . Mirëpo, të gjithë e kemi të qartë se krimet e luftës nuk vjetërsohen dhe se kurrë nuk do të ketë amnisti për ata që kryen këto krime makabre.  Statistikat ndërkombëtare na tregojnë se , duke filluar nga luftërat ballkanike, lufta e parë dhe e dytë botërore , luftërat në Amerikën jugore, në Afrikë dhe në Azi, së paku 25 deri në 30% e rasteve të personave të zhdukur kanë mbetur të pazbardhura”, ka thënë Hajdari.

Kujtojmë se mbi 1560 persona ende evidentohen si të zhdukur./tesheshi.com/