Presidenti Hashim Thaçi, ka mirëpritur sot arritjen e marrëveshjes në mes të Qeverisë së Kosovës dhe investitorit amerikan “Countour Global” për realizimin e projektit energjetik “Kosova e Re”.

Në takimin me përfaqësuesit e “Countour Global”, në të cilin ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u konfirmua se është arritur pajtim për kushtet e fillimit të implementimit të projektit. Tani pritet të finalizohet marrëveshja dhe të bëhet nënshkrimi i saj më 20 dhjetor në Prishtinë.

“Është investim i rëndësishëm për sektorin e energjisë, por edhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kjo do të sjellë stabilitet energjik, por edhe mundësi për fushat e tjera të ekonomisë”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Kur po shënojmë 10 vjetorin e pavarësisë së shtetit, po shënojmë edhe arritjen e pavarësisë së plotë energjetike të vendit”, shtoi presidenti Thaçi.

Më herët gjatë ditës, presidenti Thaçi kishte takuar edhe liderët e institucioneve shtetërore të vendit, liderët politikë dhe Grupin Ndërministror për projektin “Kosova e Re”, në të cilin ishte konfirmuar konsensusi i plotë politik dhe shoqëror për projektin.

Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë amerikane Contour Global, Joseph C. Brandt, e ka falënderuar presidentin Thaçi për pritjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm dhe e ka siguruar që projekti TC “Kosova e Re” do të realizohet duke i përmbushur të gjitha obligimet kontraktuale dhe në pajtim me të gjitha rregullat dhe standardet ndërkombëtare.