Të gjithë anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, përveç anëtarit të ri të Besës Ermira Asani – Salija, tashmë dhanë dorëheqje të funksioneve në këtë organ më të lartë zgjedhor. Para një jave ambasadori amerikan zbuloi se anëtarët e KSHZ-së kanë ndarë kompensime të larta për punën e zyre gjatë zgjedhjeve lokale dhe disa cikleve të fundit zgjedhore.

Të fundit sot dorëheqje dhanë anëtarët e KSHZ-së nga radhët e VMRO-DPMNE-së opozitare, Silvana Boneva dhe Sasho Sërcev. Paraprakisht, gjatë ditës dorëheqje dhanë edhe edhe Suhbi Jakupi, i propozuar nga BDI, dhe nënkryetari i KSHZ-së, Rexhep Prekopuca dhe anëtarët Atanas Urumov, të cilët vijnë nga radhët e ekspertëve.

Të parët një hap të këtillë dje e morën kryetari i Komisionit, Aleksandar Çiçakovski, i cili ishte nga radhët e ekspertëve, dhe anëtarët e LSDM-së Violeta Duma dhe Igor Milev.

Në seancën e parë të ardhshme Kuvendi duhet t’i konstatojë dorëheqjet e tyre, por kjo, ende, nuk është caktuar, edhe pse sipas informacioneve të fundit kjo mund të jetë të premten, ku në rend dite duhet të jetë edhe Propozim – buxheti për vitin 2018.

Kodi Zgjedhor parashikon, pasi dorëheqjet e anëtarëve të KSHZ-së do të konstatohen, kryetari i Kuvendit në afat prej tre ditëve nga dita e pranimit të njoftimit do të duhet t’i informojë partitë politike nga pushteti dhe nga opozita t’i dorëzojnë propozime për anëtarë të KSHZ-së.

Kuvendi e shpall zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të KSHZ-së në Gazetën Zyrtare, ndërsa shpallja zgjat tetë ditë. Pastaj Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve i Kuvendit harton propozim të listës nga kandidatët e paraqitur dhe e dorëzon deri te Komisioni.

Nëse partitë politike nuk i konfirmojnë dhe nuk i dorëzojnë emrat e kandidatëve për anëtarë të KSHZ-së në afatin e paraparë, anëtarët e KSHZ-së i propozon Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve numëron nëntë anëtarë, anëtar, nënkryetar dhe shtatë anëtarë. Prej tyre gjashtë janë me propozim të partive, ndërsa tre nga radhët e ekspertëve.

Anëtarët e KSHZ-së i zgjedh Kuvendi me shumicë të dy të tretave. Mandatin e kanë pesë vjet, me mundësi për rizgjedhje.