Konservatorët e Partisë Popullore austriake kanë arritur marrëveshjen për krijimin e një koalicioni qeverisës me ekstremistët e djathtë të Partisë së Lirisë. Marrëveshja vjen 2 muaj pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në Austri, ku Partia Popullore u shpall fituese, por pa një shumicë të përgjithshme. Kështu, në moshën 31-vjeçare, lideri i konservatorëve Sebastian Kurz do të bëhet udhëheqësi qeveritar më i ri në Europë.

Kujtojmë se zgjedhjet e 15 tetorit në Austri si dhe mbarë fushata zgjedhore u karakterizuan nga tonet e ashpra anti-emigracion. Por ndryshe nga të tjera vende europiane që gjithashtu u përfshinë në këtë retorikë gjatë proceseve zgjedhore përkatëse, Partia Popullore është e vetmja që e ka kthyer mbështetjen e votuesve në pushtet real.

Nëse koalicioni ratifikohet, Austria do të bëhet vendi i vetëm i Europës Perëndimore që udhëhiqet nga një parti e ekstremit të djathtë. Dy liderët, Sebastian Kurz dhe Heinz-Christian Strache nuk dhanë detaje mbi programin që do të ndjekë qeveria e re austriake, duke deklaruar se fillimisht do të lajmëronin arritjen e koalicionit tek presidenti Alexander Van der Bellen dhe tek forcat politike përkatëse. Partia Popullore dhe ajo e Lirisë kanë bashkudhëhequr vendin mes viteve 2000 dhe 2005.