Pas muajsh paralajmërimesh, Komisioni Evropian nisi sot kundër Polonisë një procedurë të paprecedentë, që mund të shkojë deri në privimin e vendit nga të drejtat e votës në BE-së nëse nuk heq dorë nga reformat e saj mjaft të diskutueshme gjyqësore.

Ekzekutivi evvropian njoftoi qëllimin e tij për aktivizimin e nenit 7 të traktatit të BE-së, parashikuar në rast të kërcënimeve që lidhen me shtetin e së drejtës në një shtet evropian, dhe shpesh i cilësuar ”armë bërthamore” në mesin e sanksioneve të mundshme nga ana e Unionit.

Qeveria polake, që mbron prej muajsh të drejtën e saj për të reformuar një sistem gjyqësor i cilësuar i vjetëruar, ka denoncuar menjëherë si një vendim ”politik dhe jo gjyqësor”, që dëmton besimin e ndërsjelltë mes Varshavës dhe Brukselit.

“Kundër vullnetit tonë aktivizuam nenin 7”, deklaroi më herët për median zëvendëspresidenti i Komisionit, Frans Timmermans, por faktet nuk na lënë zgjedhje tjetër, nuk kemi më alternativë tjetër, përcjell Atsh.

Nisur nga fakti i një seri reformash, aparati gjyqësor polak është tashmë sipas Komisionit nën kontrollin politik të shumicës në pushtet, e zotëruar nga konservatorët e partisë konservatore nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS).