Fadil Lushi

Ehe, miku im i dashur! E ruaj në kujtesë një vaki nga fëmijëria ime. Asokohe isha i vockël. Daja ynë apo vëllai i dytë e NËNËLOKES ishte një njeri shumë parimor, por njëkohësisht edhe shumë i sertë, saqë ne nipërit në asnjë mënyrë nuk guxonim të ngrenim krye kundër autoritetit të tij, prandaj nuk e “donim” dhe e kishim “inat”. Ky dajë, në familjen e madhe, kishte rolin e “opozitarit”. Shpesh “me pa të drejtë ua vinte dajakun toptan të gjithëve”. Ne kalamajtë, kur s’kishim si t’ia kthenim xhevapin, mundoheshim t’i bëjmë “komplot”. Një ditë erdhi për të na vizituar. Pa një pa dy, një shtrembërim sysh dhe hop urdhri i prerë i tij: “Më sill një gotë ujë!”. Mbusha gotën në çezmën e oborrit tonë që atëherë shteronte gjatë verës, mandej prej “mllefit që kisha ndaj tij”, ashtu fshehurazi, vendosa të pështyj në gotë. Dhe unë, si axhami, i thashë: Urdhëro dajë dhe të bëftë mirë!? Hajt se nuk u bë kiameti, pështymë nipi. Se e vërejti se pështyva dhe se a i bëri mirë uji, nuk mbaj mend, por ama, që ia bëra me “hile” ia bëra.

Paragrafin që mëtova t’ia dedikoj dajës tonë të çmuar e të sertë do ta mbyll në fund të shkrimit. Për ta shkruar këtë vështrim gazete, s’do mend se “provokimi” erdhi nga zënkat mes partive politike këtu në Republikën e Maqedonisë dhe përreth saj, gjegjësisht në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi dhe diku në Luginë të Preshevës…, mes partive që udhëhiqen nga njerëz të cilët herë pas here, për nga retorika a fjalori, dalin jashtë shinave, brenda hapësirave të kuvendeve popullore…, në kuvende ku jo rrallëherë “skllavërohet dhe eksplorohet privatësia e gjithsecilit, sesa miratimi i ndonjë ligji cilësor!” Ka edhe të tillë që bëjnë përjashtime, sidomos ata të cilët, kur nuk kanë gjë për të thënë me “tamam”, atëherë parafrazojnë sharjet e njohura shqiptare… si, për shembull: “shko a ik për lesh…, motrën a gruan e ke…, je bir kurve, legen!”, ca do hedhin këpucë, sandale gocash, bomba lotsjellëse, shishe etj.

Dhe unë sa herë që bëj përpjekje të “shkarravis vargje pa pehriz” për partitë politike shqiptare, në veçanti për kryeparët e tyre, aq herë më ik fiqiri tek ajo meseleja e dy shqiptarëve të cilët, pas shumë vitesh qëndrimi në “tokën e premtuar” të Amerikës, ashtu “vullnetshëm” e kishin “braktisur” atë për të vajtur në mëmëdhe (unë kërkoj ndjesë që përsëris ndonjë paragraf nga shkrime të kaluara). I pari, ishte gjirokastrit për nga nëna, i dyti hiqej si puro korçar. Kishin vendosur që të shtrijnë biznesin e tyre. Për këtë arsye kishin ndërtuar dy fabrika, shumë pranë njëra-tjetrës. Gjirokastriti në fabrikën e tij prodhonte ushqime për fëmijë të moshës së hershme, që në atë kohë tregu shqiptar nuk i kishte, ndërkaq në fabrikën e korçarit prodhoheshin kondomë, ose siç u thonë ndryshe prezervativë (ky “produkt” lëre që nuk gjendej në tregun shqiptar, por ishte edhe i panjohur…, po ku të linte Enveri të përdorej kjo “mushama”, kur dihej se ai mëtonte të dyfishohej a edhe trefishohej popullsia  në Shqipëri). Sidoqoftë, fabrikat u ndërtuan, pronarët punësuan nga tre specialistë dhe nga një rojtar. Prodhimi filloi. Pas disa vjetësh, gjirokastriti filloi të “ankohet” se prodhimet e tij nuk kishin shitje të mjaftueshme në treg. I sillej mendja vërdallë, kërkonte çare. Fillimisht konsultoi specialistët për lëvizjet e tregut. Fatkeqësisht, ata nuk i siguruan prova. U detyrua ta vizitojë maternitetin kryesor të… I thanë se nuk japim të dhëna për numrin e lindjeve. Po, halli! Miqtë që i kishte për “xhan” i sugjeruan që shkaqet të mos i kërkonte në treg, por te fabrika që prodhonte prezervativë për shqiptarët “në tranzicion”! I thanë se kjo fabrikë nuk mund të mbyllet, porse duhet “korruptuar” rojtari i fabrikës së korçarit dhe, kur të arrihet kjo gjë, rojtarit i duhet thënë që në makinën e fundit, ku bëhet paketimi i prodhimit final, të vinte një gjilpërë për t’i biruar prezervativët. Pas veproi sipas porosisë, ndryshoi puna dhe për një kohë gjirokastritit i “eci zari dhe pazari”. Pas gjithë kësaj edhe korçari i hetoi a diktoi gjithë këto lëvizje jonormale në treg dhe, kështu, ndonëse i zhgënjyer, u dakordua  që të “bashkëpunonte” me pronarin e fabrikës që prodhonte ushqime për fëmijë. Kjo miqësi e tyre nuk zgjati shumë…, u ndanë keq. Edhe korçari e “korruptoi” rojtarin e gjirokastritit. Pasi ia kishte dhënë lekët i kishte thënë: “Ki në mendje, aty te makina ku vihen tapat e shisheve të ushqimit, do të derdhësh këtë lëng… (ishin hormone). Rojtari merr lekët dhe vepron ashtu si i thanë. Edhe korçarit i “eci zari”. Kjo “ecje zari” e tyre nuk zgjati shumë, sepse që të dy (shqiptarët e ardhur nga Amerika) hoqën dorë përfundimisht nga bizneset e tyre. Fabrika e korçarit që prodhonte “prezervativë të biruar a të gjymtuar” u dogj deri në themel nga një grup aktivistësh që ishin vënë në mbrojtje të lirive të njerëzve që duan të bëjnë “seks të sigurt dhe të mbrojtur!?” Fabrika e gjirokastritit u shemb përdhe nga aktivistët që ishin në mbrojtje të konsumatorëve të “bio-ushqimeve!” Ambientalistët e akuzuan gjirokastritin se prodhonte ushqime hormonale në fabrikën e tij. Kishin të drejtë pasi që kishin konstatuar se fëmijët që i kishin konsumuar këto ushqime, pas një periudhe të caktuar kohore (nuk e them politike) dukeshin si ato “tullumbacet butaforike” të teatrit për kalamaj të Tiranës. Edhe korçari u akuzua për “prodhim fals” të prezervativëve. Për këtë kishin prova të mjaftueshme.

Dhe sot e gjithë ditën e Perëndisë, çuditërisht, në oborret e rrethuara politike shqiptare nuk dështon vetëm marrëzia, zënka, sajimet e rrezikshme dhe inati i tyre homerik. Të tjerat janë relative. Kuvendi popullor i Republikës së Shqipërisë në krye me Gramos Ruçin, ose këtej Kadri Veseli në Prishtinë, “nuk besoj se në një seancë të tyre të radhës do të votojnë ligjin për prodhimin e ushqimeve bio për fëmijë moshash të caktuara si dhe për prodhimin e prezervativëve!?” (në Shqipëri as që ka pasur e as që do të ketë fabrikë për prezervativë! A dini pse, ja unë po ju tregoj. Ky ishte një urdhër i prerë nga Enveri. Tekembramja,  kjo ndalesë e tij ia “vlejti”, sepse po të kishin punuar fabrikat për prodhimin e “mushamave”, ne sot e gjithë ditën do ishim në numër aq sa janë toptan këta malazezët).

I nderuar mik! Nëse unë dikur moti bëra një prapësi duke pështyrë në gotën me ujë, ju politikanë gjithandej shqiptarisë nuk keni të drejtë të shkelni mbi vullnetin e popullit, sidomos mbi votën vendimore të tij. Ju lusim që këtë vështrim “kritik”, po qoftë edhe vështrim pyetës, denigrues, johuman a edhe qortues, mos e ngatërroni me fiqirin e artikullshkruesit si dhe me “pronarët e imagjinuar-gjirokastritin dhe korçarin” të fabrikave që prodhonin bio-ushqime për fëmijë dhe atë produktin tjetër prej “mushamaje”. Tekefundit, unë nuk besoj po as që dua të besoj, se ndonjë politikan shqiptar, mund të ketë në pronësi ndonjë fabrikë që prodhon ushqime natyrore dhe..,! (Mos) Qofsha i gabuar.