Policia serbe dhe kroate, në një aksion të përbashkët, kanë arrestuar 17 persona të dyshuar për trafikimin e dhjetëra emigrantëve drejt vendeve të BE-së, kumtoi Ministria serbe e Punëve të Brendshme.

Ministria saktësoi se grupi është arrestuar në Beograd dhe në katër qytete të tjera në veri të Serbisë. Midis tyre ishin 12 shtetas serbë dhe një afgan. Policia e Kroacisë, siç theksohet në kumtesë, ka arrestuar katër të dyshuar.

“Ekziston dyshim se grupi kriminal ka ndihmuar për kalimin e paligjshëm të kufirit dhe transportimin e gjithsej 82 emigrantëve nga Afganistani, Irani dhe Iraku, nga të cilët janë marrë nga 1.500 euro për njeri”, shtohet në kumtesë.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 4.500 emigrantë janë akomoduar në kampet shtetërore në Serbi.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut informojnë se qindra emigrantë të tjerë gjenden në Beograd dhe në qytete të tjera rreth kufirit me Kroacinë.