Policia libaneze sot arrestoi një shofer taksie, i cili dyshohet për përdhunim  dhe vrasje brutale të diplomates britanike Rebeka Dajks të premten.

Trupi i Dajks (30) është gjetur pranë rrugës në afërsi të Bejrutit. Ajo është zhdukur të premten në mbrëmje, pas një argëtimi me miqtë në lagjen Gemejze.

Dajks ka punuar në Bejrut nga fillimi i vitit në zyrën e Ministrisë për Zhvillim Ndërkombëtar në Ambasadën britanike.

Sipas informacioneve të para nga hetimi policor, sulmuesi e ka përdhunuar Dajksin, ndërsa më pas e ka mbytur.

Gazeta “Tajms” njofton se i dyshuari për vrasjen është arrestuar në orët e hershme të mëngjesit gjatë një aksioni policor dhe se emri i tij është Tarëk.