Policia sllovene dhe kroate shkatërruan një grup kriminel ndërkombëtar të përzier në korrupsion sportiv, baste ilegale dhe tentime për trukim të ndeshjeve futbollistike në disa shtete, mes të cilave edhe Maqedoni, Serbi dhe Çeki, kumtoi Europoli.

Nëntë persona në Slloveni dhe dy në Kroaci janë arrestuar në kuadër të hetimit disamujor kundër mafies së basteve. Në operacion është kryer bastisje në 13 shtëpi dhe 15 automjete. TË gjithë të arrestuarit janë të dyshuar për manipulim të rezultateve të ndeshjeve futbollistike në ligat profesionale në Maqedoni, Serbi dhe Çeki, pas çka paguan shuma të larta për baste në rezultate tashmë të kontraktuara të ndeshjeve, në mënyrë që ta sigurojnë fitimin, kumtoi policia sllovene.

“Kriminelët janë të dyshuar se janë kyçur në tentime për trukim të ndeshjeve futbollistike në Maqedoni, Serbi dhe Çeki.”, theksoi Europoli.

Zyra hetuese sllovene, e cila merret me krim të organizuar dhe ekonomik, kumtoi se hetimi ka të bëjë me organizatë kriminale, e cila përmes internetit ka organizuar plasim të shumave të larta për bastoret në Azi.

Policia evropiane theksoi se ishin krijuar platforma ilegale për baste, të cilat ishin bërë me qëllim që të sigurohet anonimiteti i plotë i transaksioneve financiare.

Grupi kriminel dyshohet edhe se ka qenë i lidhur me grupe të tjera kriminele në botë. si dhe se me bastet ilegale në fitim të sigurt ka larë para, të fituara në aktivitete të tjera ilegale, siç është kontrabandimi dhe shitja e drogës.

Të arrestuarve në Kroaci dhe Slloveni u janë marrë 35 mjete elektronike, 32 telefona celular, dy automjete personale, 19.600 euro dhe valutë e falsifikuar në vlerë prej 38.500 eurove.