Policia izraelite ka arrestuar dy shtetas turq, pas një përleshjeje që ndodhi me një grup të shtetasve të Turqisë në portën Kattanin të Mesxhid-i Aksa-së, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarët e rastit, policia izraelite ka ndaluar hyrjen në Mesxhid-i Aksa të një grupi të shtetasve turq, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë, të cilët kishin të veshur bluza me flamuj të Turqisë dhe në kokë kishin vendosur fezë.

Njoftohet se policia izraelite ka ndalur shtetasit turq dhe ka kërkuar që t’i heqin bluzat e tyre me flamuj të Turqisë, duke thënë se në të kundërtën nuk mund të hyjnë në Mesxhid-i Aksa.

Pas kësaj, policia izraelite ka ndërhyrë ndaj grupit të cilët kanë reaguar kundër këtij ndalimi ndërsa bëhet e ditur se pas përleshjeve dy shtetas turq janë arrestuar.

Mësohet se shtetasit e arrestuar turq kanë udhëtuar nga Belgjika për të vizituar Mesxhid-i Aksa-në dhe posedojnë shtetësi të dyfishtë.

Policia izraelite deri më tani nuk ka dhënë deklaratë lidhur me rastin, ndërkaq bëhet e ditur se personat e ndaluar janë Abdullah Kızılırmak dhe Mehmet Kargılı.