Kanë reaguar sot Edi Paloka dhe Ervin Salianji, të cilët janë në mesin e 10 deputetëve që po hetohen penalisht në lidhje me prishje të rendit publik dhe kundërshtim të forcave të policisë, gjatë protestës së dje në Kuvend.

Në reagimin e tij në “Facebook” Salianji shprehet: “Dita e parë në punë e kryeprokurorit Rama nis me ëndrrën të tij në sirtar, asgjësimin e opozitës dhe mbretërimin mes parave të nxjerra nga gjaku dhe zhvatja e qytetarëve shqiptarë!”.

Ndërkohë një deklaratë është bërë edhe nga Edi Paloka i cili shprehet se nipi i Spiro Kolekës u bë kryeprokuror për të mbrojtur kriminelët dhe për të kërcënuar opozitën.

Reagimi i Ervin Salianjit

Dita e parë në punë e kryeprokurorit Rama nis me ëndrrën të tij në sirtar, asgjësimin e opozitës dhe mbretërimin mes parave të nxjerra nga gjaku dhe zhvatja e qytetarëve shqiptarë!

Asnjë ditë s’ka për të fjetur i qetë, kusuret e tij do t’i paguajë ai vetë.
Prokuroria dhe gjykatat duhet të hetojnë dhe çojnë pas hekurave kriminele, banditë dhe të korruptuarit e qeverisë që po e çojnë Shqipërinë në greminë. Duhet të nisë nga Rama që po privatizon Shqipërinë dhe ka patologjinë se do skllavërojë dhe popullin! Ai është skllavi më i madh, skllav i parasë dhe i vesit.

Nga dita e djeshme mbetet vetëm një pishman; duhej reaguar edhe me fort!
Kemi kryer vetëm detyrën shtetërore që na ngarkon ligji; në shërbim të qytetarëve dhe në mbrojtje të kushtetutës.

Puçistët që ishin duke vjedhur votat e opozitës për të emëruar Ramën Prokuror, nuk janë të opozitës. Mbrojtja e qytetarëve nga pushteti pa kufi është pa asnjë diskutim detyrë e opozitës.

Një pishman kam nga dita e djeshme, duhej reaguar më fort. Me këta ka vetëm një rrugë, përballja pa kthim!

Reagimi i Edi Palokës

Edhe nje arsye tjeter pse nipi i Spiro Kolekes , Edvini i Kristaqit, kerkonte dhe u be Prokuror i Pergjithshem.
Nuk i duhej vetem per te mbrojtur kriminelet ordinere qe ka futur dhe mban ne politike. Nuk i duhet as vetem per te mbrojtur Tahirin, Dakon, Beqen, Sejdinin…
I duhet per te mbrojtur veten dhe per te kercenuar e shantazhuar opoziten.
Ai qe mbron habilajt dhe balilajt , qe ka mbrojtur frroket, prenget e xhuvanin junior, qe mbron beqet e tahiret; urdheroi drejtuesit e policise se kanabisit, te procedojne mbeshtetes dhe deputete te opozites sepse protestuan kunder shkeljes se Kushtetutes nga ai vete.