David Fravor ka treguar se si fluturakja ishte paraqitur në lartësi prej 24 kilometrave, e më pas ra me shpejtësi të madhe në 6 kilometra, dhe kështu u ndal mbi det për një kohë

Pasi Pentagoni ka pranuar se një kohë kishte financuar një projekt mbi hulumtimin e jetës jashtëtokësore, piloti i pensionuar i marinës amerikane tregon se si në vitin 2004 e kishte parë një fluturake të paidentifikuar mbi San Diego gjatë fluturimit të tij rutinë.

Komandanti David Fravor kishte thënë për New York Times se si me kolegun e vet Jim Slaight fluturonin me aeroplanë luftarakë F/A 18F Super Hornest kur e kishin vërejtur fluturaken misterioze, e cila paraqitej nëpër radarë ushtarakë tashmë dy javë.

Ai ka treguar se si fluturakja u paraqit në lartësinë prej 24 kilometrave, e më pas me një shpejtësi të pabesueshme ra në 6 kilometra, për t’u ndalur mbi det për një kohë.

Fravor dhe Slaight kanë marrë urdhër të hulumtojnë për çfarë është fjala prandaj i ishin afruar, por kur kishin arritur në vendin në të cilin ishte dashur të jetë fluturakja, kanë vërejtur valët e turbulluara në detin përndryshe të qetë dhe kanë vërejtur se ujin po e trazon diçka që ishte mbi sipërfaqe.

Fravor thotë se filloi të lëshohet ngadalë në mënyrë spirale për të parë më mirë përse bëhet fjalë, por fluturakja ishte nisur kah ai. Atëherë edhe ky kishte shkuar drejt kah UFO, i cili më pas u largua në drejtim të kundërt.

“Kurrë në jetë nuk kam parë diçka aq të shpejtë. Ishte shumë e çuditshme”, tregonte Fravor.

Pas kësaj fluturakja ishte zhdukur nga radari.