Të paktën pesë persona e kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se dhjetë janë lënduar kur një autobus përfundoi në shkallët e stacionit të metrosë në Moskë, kumtuan burime të shërbimeve urgjente mjekësore.

Sipas Ministrisë ruse të Punëve të Brendshme, në incidentin që ka ndodhur në afërsi të stacionit të metrosë në pjesën perëndimore të Moskës, jetën e kanë humbur katër persona.

Shoferi i autobusit u arrestua, ndërsa policia ende i heton shkaqet për fatkeqësinë. Supozohet se me siguri janë prishur frenat ose megjithatë ka ndikuar një automjet tjetër. Por, përjashtohet mundësia se është sulm terrorist.

Në vendin e ngjarjes janë dërguar 10 automjete të ndihmës së shpejtë, ekipe të shpëtimit dhe zjarrfikës. Një pjesë e të lënduarve po evakuohen me helikopter.