Dy makina janë përplasur mbrëmjen e sotme në rrugën Lushnje-Fier dhe për pasojë tre persona kanë mbetur të plagosur, një prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas informacioneve paraprake që jep policia, rreth orës 19:50, në aksin rrugor Lushnje-Fier në vendin e quajtur “Vajkan” është përplasur mjeti tip “Benz” me drejtues M.M, 46 vjeç, banues në Vajkan, me mjetin tip “Opel” me drejtues shtetasin D.J, 52 vjeç, banues në Vajkan.

Dy shoferët kanë marrë lëndime të lehta, ndërsa tre pasagjerë që ndodheshin në dy makinat kanë mbetur të plagosur.

Konkretisht, janë dëmtuar pasagjerët, A.M, 52 vjeç, E.M., 41 vjeçe dhe B.P, 39 vjeçe, të cilët ndodhen në Spitalit Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve. Sipas burimeve spitalore, më i madhi në moshë prej tyre, A.M., 52 vjeç, është në gjendje më të rëndë.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.