Deputetët e Partisë Demokratike, Agron Shehaj dhe Nada Meçorapaj shpërndanë sot ndihma për banorët e përmbytur në fshatrat Bishan dhe Fitore dhe bënë thirrje për ndihmë dhe solidaritet me ta.

Deputetët thanë se banorët nuk kanë marrë asnjë ndihmë ndërsa ende nuk ka filluar procesi i verifikimit të dëmeve.

Deputeti Shehaj apeloi për ndihmë dhe kërkoi nga qeveria të ndërhyjë në infrastrukturë që përmbytja të mos përsëritet.

“Kemi ardhur të shpërndajmë disa ndhma që sigurisht nuk do shpëtojmë nga varfëria banorët e kësaj zone por do ti ndihmojnë sadopak për të kaluar momentin e vështirë pas përmbytjeve. Varfëria këtu ndodhet gjithandej ndërsa qeveria në nuk merret me argjinaturat, me pastrimin e kanaleve”, tha Shehaj.

Por banorët konfirmojnë se nuk kanë marrë ende dëmshpërblimin e premtuar nga përmbytja e vitit 2015.

“Mbizotëron një varfëri shumë e madhe në të gjithë zonën dhe mungon vëmëndja e shtetit. Në çdo familje që kemi trokitur kemi hasur të njëjtin mesazh; janë totalisht të braktisur nga ndihma shtetërore dhe ajo që do të donim është jo vetëm ndihmën por edhe vëmëndjen ndaj tye sepse ata nuk kanë marrë ende dëmshpërblimin e 2015 nga përmbytjet e kaluara”, tha deputetja Meçorapaj.