Mandati i Adriatik Llallës si Kryeprokuror përfundon më 7 dhjetor, ditë në të cilën Komisioni i Ligjeve do të nisë edhe proçedurat për zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, i cili do të ketë një mandat të përkohshëm deri në ngritjen e KLP-së.

Por cilët janë disa nga kandidatët që mund të marrin këtë detyrë?

Sipas Top Channel, prokurorët me më shumë eksperiencë janë Thoma Jano dhe Adnan Kosova, të dy prokurorë në organin qendror të akuzës. Por asnjëri prej tyre nuk ka gradë shkencore.

Mes atyre që kanë gradë shkencore është Ferdinand Elezi, i cili ka një karrierë nga policia e Sarandës dhe Kavajës, në prokuror në Prokurorinë e Apelit Durrësit. Titull shkencor ka edhe Henrik Ligori, prokuror te Krimet e Rënda, bashkëshort i ish-deputetes socialiste Shegushe Ligori.

Më pas, kemi prokurorë me titull shkencor të dalë nga shkolla e magjistraturës. Dritan Rreshka, te Task Forca e Tiranes, apo Olsi Çela, te krimet e rënda.

Kushtetuta parashikon që zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm bëhet me 84 vota mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Në memon që i është dërguar Komisionit të Ligjeve, një moment është ai kur Prokurorit të Përgjithshëm i skadon mandati dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është krijuar ende.

Kriteret kanë të bëjnë me vitet e punës, titujt shkencorë, etj. Por kriteri thelbësor është ai i Vettingut. Procesin e Vettingut, sot që flasim, nuk e ka kaluar askush, ndonëse po skanohen të gjithë.