Qeveria me 43,37 miliardë denarë në vitin 2018 do t’i përmirësojë gjendjet në sferën e punës dhe mbrojtjes sociale, mbrojtjen e fëmijëve, inkluzionin e grupeve të ndjeshme të qytetarëve, deinstitucionalizimin e institucioneve për kujdes, ndërkaq do të mundësojë edhe harmonizim ligjor të pensioneve dhe pagesë të tyre të rregullt dhe me kohë dhe do të punojë në uljen  e papunësisë.

“Propozim buxheti i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për vitin 2018 ka vlerë më të lartë, në krahasim me të gjithë resorët sepse pjesa më e madhe e mjeteve shkojnë drejtpërdrejt tek qytetarët, tha në konferencën e sotme për shtyp ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska.

Shtoi se rritje më të madhe të mjeteve ka në sferën e mbrojtjes së fëmijëve për shkak të gjendjeve të konstatuara katastrofike, ndërkaq me qëllim të rritjes së përfshirjes së fëmijëve dhe përmirësimin e kapaciteteve hapësinore dhe kadrovike për kujdes të fëmijëve. Për këtë dedikim janë paraparë 1.578.290.000 denarë. Për ndërtimin dhe pajisjen e kopshteve të fëmijëve dhe objekteve për mbrojtje sociale janë planifikuar 58 milionë denarë.

Carovska informoi se tetë miliardë denarë janë dedikuar për transferta sociale për mbi 120 mijë qytetarë shfrytëzues të kompensimeve sociale.

Në buxhetin për vitin e ardhshëm janë planifikuar edhe mjete për masa aktive për punësim dhe atë në shumë prej 287.500.000 denarëve, ndërsa për transformim të institucioneve të mëdha për kujdesje të cilët nuk i respektojnë të drejtat e njeriut në lartësi prej 25.713.000 denarëve. Një pjesë e madhe e buxhetit apo 29 miliardë e 158 milionë denarë janë për stabilitet, pagesë të rregullt të pensioneve dhe harmonizim të rregullt të pensioneve.

Ministrja Carovska potencoi edhe se janë shkurtuar shpenzimet joracionale dhe se janë pakësuar apo hequr kompensimet për anëtarësim në komisione apo grupe të punës.