Mënyra se si po vepron qeveria Rama në trajtimin e problemeve me Greqinë ka marrë kritika nga Pëllumb Xhufi historiani që ndër vite ka ndjekur dinamikën e zhvillimeve mes dy vendeve.

Në një intervistë për Report TV,  Pëllumb Xhufi , thotë që Shqipëria nuk duhet të ekzaltohet me deklarimin e Kotzias për heqjen e ligjit të luftës.

“Gjykoj që jo vetëm ligji duhet të hiqet si i tillë por edhe efektet e ligjit, menjëherë duhet të ndjekin efektet e ligjit. Në gjykimin tim është kthimi i pronave të ngurtësuara të qytetarëve Shqiptarë që me shpalljen e ligjit të luftës në vitin 1940 u bllokuan nga qeveria e atëhershme greke, mbahen sot e kësaj dite të bllokuara.

Efekti tjetër do të ishte njohja de jure e kufirit të Shqipërisë dhe Greqisë e vendosur në vitin 1913, e cila është e konfirmuar me vendimin e ambasadorëve në vitin 1926,” shpjegoj historian Pëllum Xhufi.

Historiani Xhufi ndalet edhe tek çështja Çame.

“Çështja çame e ka edhe ai brenda problemin e pronave, por ai është vetëm një element i çështjes çame ka një sërë problemesh të tjera, me heqjen e ligjit të luftës duhet të bëhet edhe kthimi i pronave siç bëhet në marrëdhëniet e qytetarëve me shtetin,” tha Xhufi.

Vendimin e qeverisë shqiptare për lejimin e të tjera varrezave greke në territorin e Shqipërisë Pëllumb Xhufi e shikon si një veprim që mbështet tezat e Voiro Epirit.

“Ushtarët grek të rënë gjatë luftës Italo-Greke në vitin 40,41meritojnë një monument dhe jo të zihen sipërfaqe të tëra toka, është një vend i shtrenjtë, çdo gjë ka mas, janë ngritur tre varreza por duhet parë më me kujdes,” deklaroj Xhufi.

Pëllumb Xhufi është i mendimit se Bushatit dhe Kotzias do ti duhet më shumë kohë për të zgjidhur çështjen e kufirit detar.

“Çështja e kufirit detar duhet negociuar me kujdes jo për një ditë, dhe e firmosi marrëveshjen, dua të theksoj që është parlamenti që vendos për çështje të rëndësishme”, tha Xhufi.