Kryeministri Zoran Zaev nuk përjashton mundësinë që vendet boshe që i la Aleanca për Shqiptarët në Qeveri të plotësohen nga PDSH-ja. Duke theksuar se akoma nuk ka marrëveshje dhe bisedime konkrete me PDSH-në, Zaev saktëson se më 4 janar vendet e zbrazëta do të plotësohen duke lënë mundësinë që deri atëherë të arrihet marrëveshje për partneritet të ri në koalicion.

Me PDSH-në nuk kemi folur. Takimi i fundit me Menduh Thaçin ishte publik kur i kërkova mbështetjen e reformave. Mund të ketë bisedime pas vitit të ri. Gjatë gjithë kohës jemi në bisedime, një ndër to ishte takimi me kryetarin e ri të VMRO-DPMNE-së. Bisedojmë dhe do të bisedojmë. Jam i sinqertë dhe e pranoj se në vend të 61 dua të kem 65 deputetë në shumicë. Kjo do të thotë se do të kemi shumicë më stabile. Po bisedoj edhe me partitë e vogla – deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Gatishmërinë e Zaevit për të inkuadruar edhe PDSH-së në kuadër të shumicës e mbështet edhe BDI-ja. Kryetari i kësaj partie Ali Ahmeti në një takim me gazetarët tha shkurt se subjektet e shumicës mbeten të hapura për bashkëpunim dhe komunikim. Nga ana tjetër subjekti i Menduh Thaçit as nuk konfirmon e as nuk hedh poshtë informacionet se LSDM-ja i ka ofruar si paket funksionet e ASH-së ose të paktën janë në komunikim e sipër. Socialdemokratët duke pranuar se cilido partner i ri i koalicionit do të joshet me postin e zëvendëskryeministrit për reforma, mbeten në qëndrimin se shumica parlamentare është stabile. Tashmë kur ish deputeti i GROM, Çedomir Sazdovski edhe zyrtarisht është pjesë e grupit parlamentar të LSDM-së dhe Vesel Memedi mbetet pjesë e shumicës, kjo e fundit mbetet në numrat 61 duke pasur ndërkohë në dispozicion votën e Amdi Bajram nga Lidhja e Romëve dhe atë të Merale Feratit Uzeirit të paktën për plotësimin e kuorumeve, gjë e cila u dëshmua edhe në zgjedhjen e Kryeprokurorit Publik kur deputetja e PDSH-së votoi e përmbajtur. Ditë më parë, funksionarët e Aleancës për Shqiptarët deponuan dorëheqjet e tyre në Qeveri. Largimi i tyre nga shumica vjen si pasojë e mosmarrëveshjes mes Ziadin Selës dhe kryeministrit Zoran Zaev për ministrinë e Shëndetësisë. Aleanca për Shqiptarët është subjekti i parë politik i cili largohet nga Qeveria për çështje parimore. Përveç funksioneve në ekzekutiv, Aleanca shumicës i trashëgoi edhe Vesel Memedin dhe ministrinë e Pushtetit Lokal.

Adrian Kerimi