Asambleja e Përgjithshme e KB-së pasnesër do të mbajë seancë urgjente me kërkesë të vendeve arabe dhe myslimane për shkak të vendimit të presidentit amerikan, Donald Tramp që ta njohë Jerusalemin për kryeqytet të Izraelit.

Përfaqësuesi palestinez në KB, Riad Mansur deklaroi se Asambleja e Përgjithshme do të votojë për propozim-rezolutë, me të cilën kërkohet që vendimi i Trampit të tërhiqet. Ndaj kësaj rezolute, në Këshillin e Sigurimit, SHBA-ja vendosi veto.

Katërmbëdhjetë vendet e tjera në Këshill e mbështetën rezolutën e dorëzuar nga Egjipti. Në të nuk përmenden konkretisht SHBA-ja ose Tramp, por shprehet “keqardhje e thellë për vendimin e marrë para pak kohës për statusin e Jerusalemit”.

Mansur shfaqi shpresë se Asambleja e Përgjithshme do të votojë për rezolutën. Ky lloj i votimit nuk ka karakter obligues, por ka peshë politike.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan sot paralajmëroi se do të dorëzojë rezolutë me të cilën i bëhet thirrje SHBA-së që ta tërheqë vendimin për njohjen e Jerusalemit për kryeqytet të Izraelit.

“Tani me vullnetin e Zotit, ne do të parashtrojmë rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së”, deklaroi Erdogan në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Xhibutit, Ismail Omar Gele.

“Mbështetja prej dy të tretave në Asamblenë e Përgjithshme në realitet do të thotë hedhje poshtë e vendimit të Këshillit të Sigurimit”, shtoi Erdogan.

Sipas Rezolutës nga viti 1950, seancë speciale urgjente e Asamblesë së Përgjithshme mund të konvokohet për diskutimin e ndonjë çështje të caktuar, “që të përgatiten rekomandime përkatëse deri te vendet anëtare për masa kolektive”, në qoftë se Këshilli i Sigurimit nuk arrin të ndërmerr aksion.

Vetëm 10 takime të tilla janë konvokuar në historinë e KB-së. Kjo për herë të fundit ka ndodhur në vitin 2009 lidhur me Jerusalemin Lindor të okupuar dhe territoret palestineze.