Shkupi sot frymon lirshëm. Kushtet klimatike që përfshinë mbrëmë territorin e kryeqendrës, larguan ndotjen enorme të ajrit e cila për ditë me radhë po ngulfaste qytetarët. Rrugët dhe parqet e Shkupit për dallim nga ditët e tjera, sot ishin të mbushura me fëmijë. Të anketuarit e ALSAT-it thonë se si pasojë e nivelit të lartë të ndotjes së ajrit, ditë me radhë fëmijët nuk i kanë dërguar as në çerdhe e shkolla e as nuk i kanë lënë të dalin jashtë.

Shkaku që ajri është pastruar sot kemi dalë bashkë me djalin. Ai është i sëmurë ka kollitje, sot dolëm të marrim pak ajër. Për dallim prej dje dhe pardje sot është më pastër. Dje as nuk e lëshuam që të shkojë në çerdhe djalin, nuk po merrej frymë në qytet”.

Për shkak se ajri është pastruar sot dolëm pak të shëtitemi. Ditëve të kaluara nuk i nxorëm nga shtëpia fëmijët fare. Është e dëmshme. Dëmton fëmijët në zhvillimin e trurit. Sot është ngrohtë dhe ajër i pastër kështuqë dolëm pak ta shfrytëzojmë kohën sa është ajri i pastër pasi presim prap në mbrëmje të bëhet keq”.

Ndjehet që sot është ajri më i pastër. Nuk kemi dalë jashtë ditëve të kaluara derisa ishte ndotja e ajrit e lartë. Sot e pamë në aplikacionet celulare se është më pastër dhe dolëm jashtë në park, përndryshe gjatë javës nuk dalim derisa është ndotur, vetëm në Vodno shkojmë”.

Ka përmirësim gjendja- thonë qytetarë.

Si pasojë e ndotjes enorme të ajrit, Klinika Zhan Mitrev gjatë këtij vikendi ofron kontrolle dhe konsulta pa pagesë për pacientët të cilët tanimë vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes.

Ndotja e ajrit rrit rrezikun për sulme të zemrës dhe në tru, dhe në këtë kontekst është edhe kjo iniciativë e jona që të ndikojmë në zvogëlimin e incidenteve të tilla me këshilla dhe udhëzime adekuate, ndaj grupeve të rrezikuara të qytetarëve- deklaroi Emil Stojkovski, mjek në Klinikën “Zhan Mitrev” Shkup.

Nga Spitali i mushkërive Kozle në Shkup si dhe nga Klinika e Pulmologjisë thonë se nga mbrëmja e djeshme e deri më sot nuk ka pasur raste të reja të cilat janë paraqitur për ndihmë mjekësore si pasojë e ndotjes së ajrit. Si pasojë e pastrimit të ajrit dhe mjegullës, gjatë ditës nuk është raportuar as për anulim të fluturimeve, ndërkaq edhe komunikacioni rrugor në vend është zhvilluar në mënyrë të qetë./alsat-m