Shkruan: Nijazi Halili

Parandalimi i konflikteve sot paraprihet nga diplomacia parandaluese e cila parashikon zgjidhjen e konfliktit me bisedime politike midis palëve në konflikt me ndërmjetësinë e institucioneve ndërkombëtare. Kur mjetet politiko- diplomatike nuk japin frytet e kërkuara, atëherë zbatohen sanksionet ekonomike, si ngrirja e depozitave, embargot, tërheqja e investitorëve derisa palët të detyrohen të pranojnë kushtet e vëna për ndërprerjen e konfliktit. Në qoftë se edhe sanksionet ekonomike nuk arrijnë qëllimin e komunitetit ndërkombëtar, atëherë pa hequr dorë asnjëherë nga masat e mësipërme, forcat ushtarake luajnë rol gjithnjë në mbështetje të tyre. Edhe kur palët në mënyrë të dyanshme apo të njëanshme nuk i binden masave parandaluese, atëherë përdoret forca, si opsioni i fundit me mirëkuptimin e institucioneve ndërkombëtare me mandatin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe gjithnjë me qëllimin e ndërprerjes së konfliktit edhe me paracaktim, për të ndërprerë përdorimin e forcës sapo palët të bien dakord për të ndalur konfliktin. Një ecuri e tillë është praktikuar me konfliktet e pas Luftës se Ftohtë si në Irak, Bosnjë dhe në Kosovë.