Ish-kryeministri Sali Berisha u ka kërkuar deputetëve të opozitës që të djegin mandatet e deputetëve, pas situatës së ndodhur ditën e sotme në seancën plenare, ku vetëm me votat e mazhorancës, Arta Marku u zgjodh Kryeprokurore e përkohshme. Ai tha se vendimi për të djegur mandatet i takon grupeve parlamentare.

Duke folur përpara gazetareve pas mbylljes së seancës plenare, Berisha tha se kryeministri Rama urdhëroi Gardën që të mos e lejoni të mbante fjalën e tij në foltore.

“Dua të sqaroj çdo shqiptar se sot në parlament Edi Rama organizoi një pritë cubash ndaj meje. Kërkova fjalën për procedurë, por kryetari i Parlamentit më kërkoi që të flisja pas parafolësit dhe kështu u veprua. U nisa drejt platformës për të thënë 3 minuta fjalë të mitat për procedurë, po Rama urdhëroi mercenarët, shefin e rojeve të Gardës dhe bëri një pritë, gjë e cila nuk ka ndodhur kurrë në historinë e parlamnmetit. Pasi kryetari jep fjalën, një cub, një fundërrinë pas një moralitet njerëzor, pas asnjë parim urdhëron rojet të dalin përpara të më ndalojnë të folurit. Fjalën time e ndaloi Rama jo Ruçi. Në këtë parlament të dhunuar në këtë shkallë ekstreme, nuk ka bashkëjetesë, dhe me këtë që bëri sot Rama dhe zgjedhje e Prokurorit të Përgjithshëm i detyron qytetarët të rrezojnë këtë qeveri. Mijëra qytetarë kanë ardhur nga gjithë Shqipëria të mbrojnë vendin e tyre, Kushtetutën e tyre. në Parlament duhet të ketë vetëm një gjuhë, djegien solemne të mandateve. S’ka ndodhur kurrë që deputetit t’i ndalohet fjala në Kuvend”, u shpreh Berisha.