Të dyshuarve Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sabit Berisha e Sadri Ramabaja, që po qëndrojnë në paraburgim për shkak të tentim vrasjes së Azem Vllasit dhe planeve për të vrarë liderë, mund t’u bashkohen edhe persona tjerë. Prokurori Sylë Hoxha në një prononcim për Gazetën Express ka paralajmëruar arrestime tjera të pjesëtarëve të organizatës që po cilësohet terroriste nga shteti.

Disa prej drejtuesve kryesorë të organizatës terroriste “Syri i Popullit” janë duke vazhduar të qëndrojnë në paraburgim, ndërkohë që hetuesia kosovare është duke kërkuar prova që do të dëshmonin aktivitetin e kësaj organizate.

Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova e Sabit Berisha e Sadri Ramabaja tash e disa muaj janë në paraburgim, ndërkohë që Halim Halimi dhe Bajrush Konjusha po mbrohen në liri.

Ata janë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale për veprën penale “Vrasje e përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës” dhe “Përgatitje e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së RKS-së”.

Prokurori i Prokurorisë speciale Sylë Hoxha ka thënë për Gazetën Express se janë duke mbledhur prova dhe duke dëgjuar dëshmitarë dhe, kur të kryhen të gjitha këto, do të procedohet me aktakuzë.

Në një bisedë telefonike për Gazetën Express, Hoxha nuk e ka përjashtuar mundësinë e arrestimeve të reja për këtë rast.

“Jemi duke e hetuar edhe Murat Jasharin, por edhe disa persona të tjerë. Mundet me pas edhe arrestime të tjera, krejt do të varet se nga na çon rrjedha e hetimeve. Tash nuk dua të prejudikoj, nëse kemi indikacione sigurisht që do të veprojmë”.

Organizata kishte filluar aktivitetin e dyshuar terrorist në mars të këtij viti, kur Murat Jashari plagosi në zyrën e tij avokatin Azem Vllasi. Vetë Jashari e kishte pranuar se kishte për qëllim ta vriste ish-funksionarin e Lidhjes Komuniste.

Disa ditë më vonë mediat kishin publikuar një listë me emrat e mbi 30 figurave publike në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës, të etiketuar si “tradhtarë”, që duhet ekzekutuar nga Lëvizja “Syri i Popullit”, në mesin e të cilëve edhe emri i Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Kadri Veselit e zyrtarëve të tjerë të shtetit.

Pak muaj më vonë kishte rënë në prangat e policisë Sadri Rmabaja, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, pasi hetuesia kishte zbuluar se kishte qenë ai që ishte takuar me Murat Jasharin, pak para se ky i fundit ta plagoste Vllasin.

Avokati i Sadri Ramabajës, Ramiz Krasniqi, ka thënë për Gazetën Express se klienti i tij do të qëndrojë në paraburgim deri më 7 janar, ndërsa pas kësaj do të shihet se çfarë mase do t’i shqiptojë gjykata.