Pamjet që shihni i përkasin një aksidenti të ndodhur mëngjesin e 30 Nëntorit të këtij viti rreth orës 07:20 minuta në rrugën nacionale Tiranë-Ndroq, pranë fshatit Vaqarr.

34-vjeçari Oltjan Maknori, që udhëtonte me motor, mbeti i vdekur si pasojë e përplasjes nga një makinë tip “Mercedez- Benz”. Nga pamjet duket momenti kur vetura “Mercedez- Benz”, e drejtuar nga Brikel Zhuri, përplas motorin që drejtohej nga 34-vjeçari.

Regjistrimi i një kamere sigurie në rrugë tregon aksidentin e rëndë. Siç shihet edhe nga pamjet, makina që ka shkaktuar aksidentin është futur në parakalim në mënyrë të gabuar, ndërsa motori ishte duke ecur në korsinë e tij.

Dyshimet e policisë janë se veç shpejtësisë tej normave dhe parakalimit të gabuar, drejtuesi i mjetit ka humbur vëmendjen pasi ai ndalon vetëm pasi ka përplasur motorin. Pas ngjarjes, policia ndaloi Brikel Zhurin, ndërsa ndaj tij ka ngritur akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen.