Zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij në Republikën e Estonisë, realizoi një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të vendit mes të cilëve edhe me Klen Jarac, drejtor i zyrës për Çështje Evropiane në Qeverinë e Republikës së Estonisë, si dhe me Erik Nils Kros, kryetar i grupit parlamentar mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Estonisë.

Në takime u hapën tema për bashkëpunim dypalësh mes Maqedonisë dhe Estonisë, bashkëpunimin rajonal në kuadër të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e rajonit. Theks të veçantë iu vu bashkëpunimit të parlamenteve kombëtare në kuadër të grupit parlamentar mes Maqedonisë dhe Estonisë, si dhe avancimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në kuadër të takimeve, Osmani potencoi marrëdhëniet e mira dypalëshe të cilat janë në drejtim të mbështetjes së proceseve tona euro-atlantike nga ana e Estonisë. Osmani potencoi energjinë e re politike në drejtim të optimizmit evropian, e cila u krijua me formimin e Qeverisë së re në Maqedoni, të cilën qytetarët e konfirmuan edhe në zgjedhjet e fundit lokale.

“Viti 2018 paraqet vit historik për Republikën e Maqedonisë për çështjet tona eurointegruese dhe për këto ambicie presim mbështetje nga Estonia” theksoi Osmani.

Në takime u hapën edhe çështjet e menaxhimit me sfidat evropiane, siç janë lajmet e rreme, zbulimi i populizmit radikal, nacionalizmi, ndikimi gjeopolitik nga Lindja, sfidat e krizës së emigrantëve etj. U konstatua se gjitha sfidat rajonale dhe evropiane në Ballkan duhet të zgjidhen në drejtim të vlerave evropiane, por më mirë, me përforcimin e perspektivave evropiane të rajonit, si dhe mbajtjen e besueshmërisë së procesit të zgjerimit. Gjatë bisedimeve bashkërisht u konstatua se roli i parlamenteve nacionale dhe Parlamentit Evropian janë të rëndësisë së veçantë për procesin e zgjerimit, si dhe për reformat e reja politike të BE-së.

Paraprakisht, në kuadër të vizitës në Estoni, zëvendëskryeministri Osmani realizoi takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Sven Mikser.