Vjosa Osmani-Sadriu kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme ka vlerësuar se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk ka prodhuar zbatimin e një pjese të madhe të marrëveshjeve në praktikë nga shteti serb.

“Asnjëra palë nuk mundet me vendosë kushte në mënyrë të njëanshme. Natyrisht se këtu ka një rol tepër të rëndësishëm Bashkimi Europian si ndërmjetësues i tërë procesit megjithatë në qoftë se veç përdoret një logjikë e tillë atëherë duke pas parasysh që Serbia nuk ka implementuar mbi 2/3 e marrëveshjeve që janë lidh me Kosovën që nga viti 2011 atëherë edhe Kosova do të mund të vendoste kushte të ngjashme duke mos pranuar që të vazhdonte dialogu pa u zbatuar ato marrëveshje nga ana e Serbisë”, tha Osmani për televizionin publik të Kosovës.

Osmani ka folur edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe. Sipas saj, qeveria e Kosovës e ka të gatshme vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe qysh tash mund të fillojë me hartimin e statutit të atij asociacioni në përputhje të plotë me vendimin e kësaj gjykate dhe se nuk ka nevojë të presë as Serbinë e as deputetët serbë në qoftë se ata nuk shprehin vullnet të jenë pjesë e këtij procesi.