OKB-ja është e shqetësuar nga rreziku i një përshkallëzimi të dhunës, pas vendimit të njëanshëm të Donald Trumpit për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, theksoi në Këshillin e Sigurimit, Nickolay Mladenov, koordinatori special i OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

Nickolay Mladenov paralajmëroi se ky vendim shkakton një radikalizëm fetar.

“Jerusalemi është çështja më komplekse për t’u zgjidhur në konfliktin izraelito-palestinez”, deklaroi ai, duke përmendur simbolikën e të krishterëve, hebrejëve dhe myslimanëve të këtij qyteti.

“Vetëm një negocim mes dy palëve, mund të vendosë për të ardhmen e tij”, vazhdoi ky përgjegjës.

Nickolay Mladenov i bëri thirrje krerëve të të gjithë botës “të tregojnë urtësi për të sjellë qetësinë në rajon”.

Mbledhja urgjente e Këshillit të Sigurimit, ie përbërë nga 15 anëtarë, u kërkua nga Suedia, Franca, Italia, Britania e Madhe, Bolivia, Uruguai, Egjipti dhe Senegali.