Publikimi i lajmit nga Shtegu për kosovaren Shqipe Deforel nga Gjilani, ka bërë jehonë të madhe në mediat e shkruara shqipe në mbarë trojet shqiptare.  Shqipja ndjehet krenare dhe përplot entuziazëm që të vazhdojë me sukseset e saj. Në një reagim të saj tek Redaksia jonë, ajo ka paraqitur edhe një anë krejt të panjohur për lexuesit, por edhe tepër mbresëlënëse.

Për Shqipen tashmë është shkruar edhe një enciklopedi e vogël nga shkrimtaret zvicerane Melanie Rouiller dhe Marie Rime, me titull „Le Chalet d`Alpage“, e cila është botuar para dy viteve dhe mund të gjendet për blerje në Muzeun e qytezës Bulle në Zvicër. Në te përshkruhet një pjesë e jetës së Shqipes në Alpet zvicerane, ndërsa nuk mund të publikojmë hollësira të tjera për shkak të së drejtës autoriale.

Lidhur me kahen e saj të jetës, Shqipja asnjëherë nuk do të pendohet, pasi ajo ka përpara një jetë të lumtur dhe përplot harmoni, ndërsa tek zviceranët ka fituar një respekt të pashoq dhe besim grandioz.

Nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se Shqipes t`i urojmë suksese të mëtutjeshme në profesionin e saj në përpunimin e drurit të veçantë, me të cilin do të krenoheshin edhe shumë e shumë femra të tjera zvicerane, por që nuk janë të afta si Shqipja për ta ushtruar.