Shoferi i xhipit, i cili me qëllim përplasi këmbësorë në Melburn, me ç’rast i lëndoi 19-të persona mes të cilëve edhe një fëmijë, ka pasur probleme psikologjike dhe ka përdorur drogë. Shoferi është i moshës 32 vjeçare,  ndërsa ka origjinë australiano-afgane.

Policia kumtoi se tani për tani nuk ka dëshmi apo të dhëna të inteligjencës se incidenti ka lidhje me terrorizmin.

Në të kaluarën, shoferi ka pasur probleme me ligjin për shkak kundërvajtjeve të vogla, kryesisht mosrespektim të rregullave të komunikacionit.

Incidenti ka ndodhur në rrugën Flinders në qendrën e qytetit, në kohën kur shumë qytetarë dalin në pauzë nga puna dhe blejnë dhurata të krishtlindjeve. 

Policia e arrestoi shoferin e xhipit “Suzuki” si edhe një person tjetër i cili ka qenë në automjet.

Dëshmitarët okularë thonë se shoferi është drejtuar drejt grupit të njerëzve prej midis 60 dhe 100 njerëz të cilët kanë kaluar në vendkalimin për këmbësorë dhe i ka përplasur me një shpejtësi prej 100 kilometrave në orë, me ç’rast trupat “kanë fluturuar në ajër”.

Në janar gjashtë persona janë vrarë në Melburn kur një njeri i sëmurë mendor ka përplasur këmbësorët në rrugën Burk. Pas këtij sulmi, autoritetet e qytetit vendosën barriera të betonit nëpër qytet, përfshirë edhe në rrugën Flinders, me qëllim që të pengohen sulme terroriste me automjete.