Zëvendëskapiteni i skuadrës së Bajernit, Tomas Myler, ka folur lidhur me momentin më të hidhur të karrierës së tij. Myler madje nuk ka harruar aspak disa prej problemeve që ka pasur skuadra e tij gjatë vitit 2017.

Gjatë një deklarate, Tomas Myler ka thënë se humbja në Champions League përballë Realit të Madridit ka qenë më e hidhura në karrierën e tij si profesionist, ku tha:

“Kemi qenë fare pranë triumfit, pasi arritëm ta mposhtim Realin e Madridit me rezultatin 2- 1 pas 90 minutave të rregullta. Në minutat shtesë, ata arritën të marrin avantazhin e lojës me rezultatin 2-4 dhe kjo ka qenë një prej humbjeve më të trishta për mua. Mënyra se si humbëm nuk do të harrohet kurrë”.

Mesfushori bavarez ka sqaruar edhe një prej ndryshimeve kryesore mes dy trajnerëve, Jup Hejnkes dhe Karlo Ançeloti. Sipas tij, Hejnkes i jep më tepër siguri skuadrës në dallim nga tekniku italian.

Për këtë, Myler tha: “Siguria që Jup Hejnkes i jep skuadrës sonë na kishte munguar prej kohësh”. Gjithashtu, Myler ka zbuluar dëshirën e madhe për tripletë duke thënë: “Gjatë këtij sezoni do të luftojmë me të gjithë fuqitë tona. Duam pa dyshim të shënojmë tripletën e radhës”.