Ishte fundi i çerekut të katërt të përballjes së stinorit të rregullt të NBA-së mes Golden State Warriors dhe New Orleans Pelicans të hënën mbrëma, ndërsa Eric Housen ndjeu se diçka nuk ishte në rregull, derisa po rregullonte uniformat në zhveshtoren e skuadrës mysafire në palestrën “Smoothie King Center”

Kevin Durant i Warriorsave dhe DeMarcus Cousins i Pelicansave ishin përjashtuar pas një fjalosjeje dhe Housen dëgjoi zhurmën në tunel jashtë zhveshtoreve. Ai shkoi për të hetuar.

Si drejtor i operacioneve të skuadrës te Warriorsat, Housen ka shumë punë për të bërë. Ai i bën gati uniformat e lojtarëve. I transporton çantat e tyre. Rezervon dhomat e hoteleve. Ai lan veshjet e stërvitjeve dhe blen ushqime, shkruan Koha Ditore.

Përkujdeset që autobusët që sjellin skuadrën nga aeroporti për në hotel e më pas për në arenë të vijnë në kohë. Ai aranzhon aeroplanë privatë për udhëtimet që kanë skuadrat, përfshirë këtu edhe për anëtarët e familjeve të lojtarëve dhe për transmetues.

Ai planifikon shujtat e lojtarëve dhe menaxhon orarin e tyre dhe mundohet të zgjidhë problemet e tyre. Ai gjithë këto punë i bën duke tentuar fort të mos pijë më tepër se dy pije energjike në ditë.

“Kafeina është problemi im më i madh. Stafi stërvitor gjithmonë mundohet të më gjejë alternativa më të shëndetshme”, thotë Housen.