Policia gjermane njoftoi se sot një burrë 58-vjeçar ka tentuar të vritet pasi me automobil hyri në selinë e Partisë Socialdemokrate në qendrën e Berlinit me ç’rast është lënduar më lehtë.
Siç thuhet, automobili, i cili ka qenë i mbushur me kanistra me benzinë dhe bombola gazi, ka kaluar përmes derës së qelqtë të selisë partiake. Nga goditja është shkaktuar zjarr i vogël, por sistemi automatik për shuarjen e zjarreve në ndërtesë menjëherë e ka shuar.
Policia nuk po e publikon emrin e burrit dhe tani për tani është e paqartë se pse e ka zgjedhur pikërisht selinë e socialdemokratëve si cakun e tij.
Ai është dërguar në spital, ndërsa policia dhe shërbimet e sigurimit po e hetojnë rastin.