Ndonëse gjatë vikendeve dhe festave e kanë të ndaluar, veturat po qarkullojnë drejt malit Vodno. Për këtë policia sot ka gjobitur trembëdhjetë qytetarë për shkak se kanë shkelur ndalesën për ngjitje me automjete deri në malin Vodno.

“Edhe pse Qyteti i Shkupit ka marrë masë për ndalimin e veturave deri në malin Vodno,  këtu shohim vetura të cilat ende po qarkullojnë”.

Qyteti i Shkupit  me këtë masë ka për qëllim mbrojtjen parkut të Vodnos dhe ruajtjen e ajrit nga ndotja.

“Kjo masë është e drejtë, pasi që njerëzit marrin veturë dhe bëjnë qejfe. Nuk mendojnë për fëmijët dhe njerëzit tjerë. Më mirë është që të shkojnë 50 autobusë se 500 vetura”, tha Ivan Stanoev, qytetarë.

Shilegov tha se ka qytetarë të pandërgjegjshëm të cilët nuk respektojnë ligjin e ri, por tha se qytetarët me kalimin e kohës do të vetëdisohen.

“Të premten kur është festë shtetërore dhe kur të vlen ndalesa, do të jeni dëshmitarë se në tërësi do ta ndalojmë qarkullimin e automjeteve prej orës 9:00 të mëngjesit deri në orën 16:00 pasdite”, u shpreh Petre Shilegov, Kryetar i Qytetit të Shkupit.

Nga MPB informojnë se dënimi është 45 euro ose 25 pikë ndëshkuese. Të gjithë qytetarët janë gjobitur për lëvizje nga qendra e Shkupit deri në Vodnon e mesme. Në pjesën e manastirit të Shën Panteleimonit nuk kishte qytetarë që po shkonin drejt Vodnos me automjete./Tv21