Nga 1 janari deri në mars të vitit të ardhshëm Qyteti i Shkupit vendos ndalesë për dorëzim të mallit në zonën më të ngushtë të qytetit, në periudhën nga ora 7:30 deri në orën 18:00.

Zëdhënësi i Qytetit të Shkupit, Valon Saliu, në konferencën e sotme për shtyp informoi se kjo është një prej 15 masave urgjente për uljen e ndotjes së ajrit.

Sqaroi se Vendimi ka të bëjë për ndalim të dorëzimit të mallit në periudhën e theksuar, ndërsa nuk ka të bëjë për lëvizjen e automjeteve që e dorëzojnë. Në mënyrë shtesë, kjo ndalesë nuk ka të bëjë për ndërmarrjet të cilat kanë hapësirë personale për dorëzimin e mallit, por vetëm për ata që për dorëzim shfrytëzojnë rrugë ose trotuar.

Ai sqaroi se vlerësohet se 4.000 automjete në ditë shpërndajnë mall në zonën qendrore të qytetit.

Bëhet fjalë për masë që do të kontribuojë për zvogëlimin e ngecjes në komunikacion dhe me këtë ulet edhe sasia e gazrave të dëmshme që lirohen gjatë asaj kohe.

“Jemi të vetëdijshëm për jopopullaritetin e kësaj mase midis shpërndarësve të mallit. Me një pjesë prej tyre tani më kemi realizuar takime me qëllim që t’i tejkalojmë situatat e pakëndshme që ua krijon zbatimi i kësaj ndalese. Kërkojmë mënyrë si t’i lehtësojmë pasojat eventuale negative nga zbatimi i saj. Në të njëjtën kohë, apelojmë për mirëkuptim nga ndërmarrjet që kanë nevojë për dorëzim të shpeshtë të mallit dhe i lusim të gjejnë mënyrë për ta respektuar ndalesën. Megjithatë, kujdesi për pastrimin e ajrit dhe për shëndetin e qytetarëve është kujdesi ynë i përbashkët”, theksoi Saliu.

Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve e përsëriti apelin të mos ndizen zjarre për Buzmin me qëllim që të mbrohet mjedisit jetësor dhe të mos ndotet ajri. Qytetarëve u është lënë në dispozicion linja e hapur 193 për të paraqitur zjarr të ndezur.

Në lidhje me konfirmimin e çmimit të ri të ujit, nga Qyteti i Shkupit informuan se nesër duhet të emërohen anëtarët e Këshillit drejtues në NP “Ujësjellës dhe kanalizim” të cilët duhet ta përgatisin propozimin për çmimin e ri të ujit në pajtim me tarifën e konfirmuar të Komisionit rregullator për energjetikë dhe të cilin në bazë të propozimit e sjell Këshilli i Qytetit të Shkupit.