Nexhat Daci, ish-drejtues i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është zgjedhur kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të këtij shteti.

Daci vjen në këtë detyrë pas një karriere të gjatë politike, por edhe si një nga njerëzit më të mirëformuar dhe arsimuar në Kosovë. Ai u diplomua në Beograd për Kimi, në vitet 1966-1968 vijoi masterin shkencor po në Beograd, në vitet 1969-1973 përfundoi në Zagreb doktoraturën sërish për kimi, për të vijuar më tej me një sërë specializimesh si në Britaninë e Madhe, Belgjikë, Çekosllovaki.

Ai është anëtar i rregullt i Shoqatës së Kimistëve Amerikanë, i Akademisë Europiane të Mjedisit dhe ka autorësi në 10 tekste shkollore dhe 120 projekte shkencore.

Daci ka qenë një ndër njerëzit kryesorë pranë Ibrahim Rugovës, por pas vdekjes së tij, pati përballje jo të vogla në parti. Në lëmin shkencor ai është autoritet në Kosovë dhe më gjerë dhe zgjedhja mund të ndihmojë në rritjen e rolit të Akademisë së Kosovës, si një nga polet kryesore të mendimit shqiptar.