Analisti Andi Bushati, i ftuar në rubrikën “Opinion”, në News 24, ka folur për zgjedhjen e kryeprokurorit të përgjithshëm i cili sipas mazhorancës do të jetë i përkohshëm. Sipas Bushatit, ka një tentativë të mazhorancës për të falsifikuar dhe manipuluar procesin dhe për të zgjedhur një kryeprokuror pa kaluar vettingun.

“Duan të kalojnë një prokuror të përgjithshëm pa kaluar nga sita e vettingut. Kjo nuk është normale, sepse pas 2 vjetësh që kemi bërë debat të madh për reformën në drejtësi, prapë vendos politika, duke hequr sitën e vettingut.”

I pyetur për ftesën që Rama i ka bërë Bashës, për zgjedhjen e një kryeprokurori konsensual, Bushati tha se kjo ftesë nuk është e sinqertë.

“Basha nuk e ka më luksin të shkojë në marrëveshje ku të dalë i humbur. Nga ana e ftesës së Ramës, është ftesë e pasinqertë, sepse nuk mund t’i thuash dikujt hajde ta zgjedhim kryeprokurorin, por po nuk ramë dakord bashkë, unë kam të drejtë ta zgjedh vetë”.