Sekreti i jetëgjatësisë është i lidhur me qëndrimin tonë ndaj jetës dhe familjes zbulojnë shkencëtarë nga SHBA dhe Italia, të cilët kanë studiuar banorët e fshatrave të vogla italiane të moshës 90-101 vjet.

Sipas studimit, pavarësisht nga fakti se këta njerëz kanë disa probleme shëndetësore, ata arrijnë të mbajnë një psikologji të mirë.

“Shumë studime janë bërë për njerëzit që arrijnë një moshë shumë të vjetër, por shumica e tyre u përqëndruan në gjenet e tyre, në vend të shëndetit mendor apo personalitetit të tyre” , thotë Ntilip Tzeste, autori kryesor i studimit dhe profesor në Universitetin e Kalifornisë në San Diego.

Sipas studimit, tiparet e veçanta të kësaj popullate jetëgjatë të Italisë jugperëndimore duket se janë optimizmi ndaj jetës, etika e punës, këmbëngulja dhe lidhjet e forta me familjen, fenë dhe atdheun e tyre.

“Kam humbur burrin tim të dashur vetëm një muaj më parë, dhe më vjen keq për këtë. Ishim të martuar për 70 vjet. Por në sajë të bijve të mi e kapërcej dhimbjen. Kam katër fëmijë, dhjetë nipër e mbesa. Gjatë gjithë jetës time luftoj dhe jam gjithmonë gati për një ndryshim që do të vij. Unë besoj se ndryshimet janë jeta dhe një mundësi për të evoluuar”, tha një nga pjesëmarrësit në një intervistë.

“Unë jam gjithmonë aktiv. Unë nuk e di se çfarë do të thotë stres. Jeta është ajo që ne kemi dhe duhet të përballemi gjithmonë “, tha një tjetër.

“Unë gjithmonë mendoj pozitivisht, gjithmonë ka një zgjidhje për jetën. Kjo është ajo që babai im më mësoi: të përballohesh gjithmonë me vështirësitë dhe të shpresosh për të mirën”, u shpreh dikush tjetër.

Duke studiuar karakteristikat e këtyre popullsive, shkencëtarët besojnë se ata do të kuptojnë më mirë faktorët që sigurojnë mirëqenie dhe cilësi të jetës edhe në një moshë shumë të vjetër.