Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ai i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, si dhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK), Basri Sejdiu, kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi për të vlerësuar përcaktimin e shkallës së invaliditetit për invalidët e luftës së UÇK-së dhe invalidëve civilë të luftës. Kjo marrëveshje ka për qëllim final që kjo kategori ta përfitojë pensionin invalidor sipas legjislacionit në fuqi.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje tregon edhe një herë se Qeveria e Republikës së Kosovës do t’u dalë zot të gjitha kërkesave dhe problemeve institucionale, për të cilat ata nuk kanë gjetur zgjidhje deri më tani.

‘Kjo marrëveshje bashkëpunimi është e rëndësisë të veçantë në dy dimensione. Në dimensionin e parë se ka përmbushur hallkën e fundit të përcaktimit të shkallës së invaliditetit të ushtarëve të UÇK-së. Dhe, në dimensionin tjetër, është se përdor mjekët më profesionistë të SHSKUK-së, për të përcaktuar këtë shkallë”, ka thënë Ismaili.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka thënë se kjo marrëveshje është hapi i fundit para se Komisioni mjekësor për caktimin e shkallës së invaliditetit të veteranëve të UÇK-së të fillojë punën.

Kurse, Ky komision, sipas drejtorit të SHSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se do të formohet nga mjekët më profesionistë që ka vendi.

Me këtë marrëveshje parashikohet bashkërenditja e veprimeve të të dy ministrive, lidhur me themelimin e komisioneve konziliare në QKUK dhe në shtatë spitalet e përgjithshme në kuadër të SHSKUK-së.