Nënshkrimi i marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” është bërë lajm ndërkombëtar. Për këtë marrëveshje që u vlerësua historike kanë shkruar mediat më të mëdha botërore si: AP, Reuters, Washington Post etj.

Kosova ka nënshkruar një kontratë me kompaninë  ContourGlobal për të ndërtuar një central elektrik me qymyr 500 megavat (MW), projekti i parë më i madh që kur vendi i varfër ballkanik shpalli pavarësinë në 2008, shkruan Reuters, transmeton Express.

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar një kontratë prej 1 miliard eurosh (1.18 miliard) me  “ContourGlobal PLC”, me bazë në Nju Jork, për të ndërtuar një central elektrik me qymyr 500 megavat, shkruan ABCNews.go.com

Marrëveshja u nënshkrua të mërkurën me drejtuesin më të lartë të kompanisë, Joseph Brandt.

Termocentrali i ri, i quajtur “Kosova e Re” do të fillojë ndërtimet vitin e ardhshëm dhe do të bëhet funksional deri në vitin 2023, për të zëvendësuar “Kosovën A”, një fabrikë e vjetër 55-vjeçare, transmeton Express

“Kosova e Re” do të furnizojë me energji elektrike kryeqytetin e Prishtinës dhe zonat përreth, në 40 vitet e ardhshme.

Kosova, e cila prodhon të gjithë energjinë e saj nga qymyri, ka ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të rrjetit të vjetër të prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, të cilën Beogradi nuk e ka njohur.