Pavel Nedved ka folur mbi shortin e 1/8 finale të Champions League, që u hodh sot në Nyon të Zvicrës dhe që i vuri bardhezinjtë kundër Tottenhamit.

“Një short normal, sepse në garat evropiane nuk jemi përballur me Tottenham. Na ndodh për herë të parë. Ne jemi ndeshur në një verë miqësore me këtë kundërshtar anglez, ku kemi humbur. Kemi për të luajtur mbas dy muajsh dhe të shohim se si do të shkojë” thotë drejtuesi juventin Pavel Nedved për “Mediaset Premium“.

Ai tutje ka folur edhe për krizën e Paolo Dybalas. “Ai është një djalë 24-vjeçar, i cili mund të ketë ulje dhe ngritje gjatë sezonit. Paolo e di se mund t’i arrijë qëllimet maksimale. Allegri është i njëjtë me të gjithë, ai gjithmonë e ka bërë këtë te Juventusi dhe po e bën mirë. Edhe Higuain, kur nuk është mirë, shkon në bankinë, apo Mandzukic. Ne duam të shfrytëzojmë lojtarët, kur ata janë në më të mirën e tyre. Trajneri vendos dhe e bën mirë këtë gjë. Tottenham? Është një ekip shumë i fortë, me një trajner shumë të mirë, i cili di të përfitojë nga potenciali sulmues. Por ne duhet të mendojmë vetëm për veten dhe të përqendrohemi tek vetja jonë. Finalet e humbura në Champions? Unë do të nënshkruaja për të shkuar në finale çdo vit, por duket se kjo po bëhet gjithmonë e më shumë e vështirë. Juventusi ka arritur dy herë në tri vitet e fundit në finalen e Champions-it. Kjo nuk ndodh me të gjithë”, ka nënvizuar Nedved.