Në Ministrinë e Punëve të Jashtme sot u mbajt sesioni i parë informues i Fondit për Ballkan Perëndimor në Maqedoni, me rastin e thirrjes së parë për dorëzim të propozim-projekteve rajonale.

“Fondi është iniciativa e parë rajonale, inkluzive dhe autoktone, me mision themelor – promovimin e bashkëpunimit rajonal, integrimi në BE dhe zhvillimi i përgjithshëm i rajonit”, tha Viktor Dimovski, sekretar shtetëror në MPJ.

Sipas tij, qëllimi kryesor i Fondit është që ta përforcojë bashkëpunimin midis vendeve dhe ta avancojë integrimin në BE, ndërsa kjo do të sigurohet përmes promovimit të vlerave të përbashkëta midis shoqërisë civile dhe aktorëve rajonal, dhe përmes këmbimit të përvojave, diturive dhe aftësive, midis njerëzve nga shtetet e rajonit.

Gjergj Mura, drejtor ekzekutiv i FBP, thotë se Fondi do të mbështesë projekte të cilët kanë për qëllim që ta përforcojnë bashkëpunimin midis përfaqësuesve të sektorit civil në rajon.

“Fondin financiarisht e mbështesin gjashtë qeveri nga Ballkani Perëndimor, ndërsa secila nga vendet tona kontribuon me shumë të barabartë, dhe ato të holla u kushtohen sektorit civil”, tha Mura.

Antoaneta Ivanova, koordinatore programore e Fondit për Ballkan Perëndimor, theksoi se për momentin Fondi disponon me 230.000 euro të cilat duhet të sistemohen për organizatat joqeveritare, universitetet, shkollat, komunat dhe entitetet e tjera të cilët janë jopërfitues nga rajoni.

Sipas saj, është e rëndësishme që të ketë tre partnerë në një projekt, një partner i cili është bartës ose institucion, dhe dy të tjerë të cilët janë nga rajoni.

Shuma maksimale që mund të ndahet për një projekt është 12.000 euro.

Afati për aplikim është deri më 22 dhjetor, ndërsa të gjithë informatat mund të gjinden në http://westernbalkansfund.org.