Autoritetet britanike në vitin 2012 kanë lejuar shitjen e gjashtë pajisjeve të lëvizshme për përgjim për nevojat e MPB-së. informatën e publikoi magazina britanike “Computer Weekly”, duke i kritikuar autoritetet e atjeshme se kanë lejuar shitjen e pajisjeve të tilla një shteti me kapacitete të dyshimta demokracie. bëhet fjalë për të ashtuquajturat “pritës” të identitetit të telefonave celularë.

Në praktikë, pajisja ka rreze veprimi në radius prej 1.5 deri 2 kilometra dhe paraqitet si stacion bazë i operatorit celularë. Kur përdoruesi i telefonit që është cak i ndjekjes do përpiqet të realizojë thirrje apo të dërgojë sms porosi, “pritësi” shndërrohet si urë mes telefonit dhe stacionit të vërtetë bazë. Përdoruesi i telefonit dhe operatori i stacionit të vërtetë bazë nuk vërejnë asgjë. Por “pritësi” mund t’i incizojë dhe përgjojë bisedat dhe sms porositë nga pajisja e targetuar e telefonit”.

Pajisja mund të bartet në çantë, në valixhe, madje edhe në trupin e operuesit që bën përgjimin. Për efikasitet më të madh, për shkak të nevojës më të madhe për mbushje me energji elektrike, ofrohet edhe versioni i kamufluar në xhip apo në furgon. Pikërisht për përgjime me pajisje të këtilla fliste Nikolla Gruevski në shkurt të vitit 2015. Por, ai atëherë akuzoi se me pajisjen kanë operuar profesionistë të panjohur për nevojat e shërbimeve të huaja, dhe se MPB-ja ka tentuar t’i zbulojë.

Përkohësisht në lokacione të ndryshme, kryesisht në qendër të Shkupit, operues i panjohur bën përgjime të paligjshme dhe incizim të bisedave telefonike duke përdorur pajisje të lëvizshme vendi i të cilës vazhdimisht është ndryshuar, e që funksionon sipas parimit të klonimit të të ashtuquajturave stacione bazë – pati deklaruar Nikolla Gruevski, ish-kryeministër.

Shitës i pajisjes është “Gama Grup” kompania e njëjtë britanike nga e cila DSK-ja ka blerë edhe pajisje tjera për ndjekje, por me ndërmjetësimin e kompanisë nga Maqedonia “Finzi”. Ndërsa “Finzi” është kompania drejtori i fundit i të cilës ishte Kosta Krpaç, shkupjani i cili “vrau veten” kur Prokuroria speciale filloi t’i hetojë furnizimet e DSK-së përmes kësaj kompanie. pikërisht nga aktakuza e PSP-së për këtë lëndë, që mban emrin “Arka”, në opinion tashmë është e njohur se MPB në vitin 2012 kanë blerë një furgon për përgjimin e telefonave. Vallë MBP pa ndërmjetësues ka blerë edhe disa pajisje të lëvizshme për të cilat ka marrë leje për t’i importuar? Nga dikasteri i Oliver Spasovskit për momentin nuk ka përgjigje.

Drejtoresha ekzekutive e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut Uranija Pirovska, e cila edhe vetë ishte viktimë e përgjimeve, u bëri thirrje autoriteteve ta pastrojnë edhe këtë rast.

Uranija Pirovska, Komiteti i Helsinkit “Unë apeloj te MPB-ja, nëse e kanë atë pajisje, ajo të jetë transparente dhe llogaridhënëse. Gjithsesi, jo me lëshimin e materialeve të klasifikuara nga përgjimet për procedura të caktuara, por mund të gjendet mënyrë si të informohet opinioni për çfarë janë përdorur nëse ato janë në pronësi të MPB-së”.

Argument shtesë në apelin e Pirovskës është edhe fakti që në vitet e kaluara edhe persona privat kanë poseduar biseda të përgjuara. Sipas saj, kjo sugjeron në mundësinë që MPB dhe DSK të mos jenë të vetmit në Maqedoni që kanë pajisje përgjimi./alsat-m

Global