Vazhdojnë në javën e tretë dhe të fundit bisedimet e raundit të 8-të në Gjenevë mbi Sirinë, me takimet mes delegacioneve të opozitës dhe regjimit dhe Kombeve të Bashkuara (OKB), raporton Anadolu Agency (AA).

Në dy javët e para të negociatave indirekte, të cilat filluan më 28 nëntor në Gjenevë të Zvicrës, nuk u arrit ndonjë rezultat konkret për faktin se delegacioni i regjimit të Bashar al Asadit që iu bashkua vonë negociatave u largua më pas nga Gjeneva. Asnjë përparim konkret nuk është arritur në dy javët e para të bisedimeve për shkak të qëndrimit të regjimit.

Me përpjekjet e përfaqësuesit Special të OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, delegacioni i regjimit nën udhëheqjen e Beshar Xhaferit mbërriti ditën e djeshme në Gjenevë. Bëhet e ditur se Mistura ditën e sotme do të takohet në zyrën e OKB-së në Gjenevë me përfaqësues të Komitetit të Lartë Negociator të formuar nga opozitarët sirianë nën udhëheqjen e Nasir Haririt, ndërsa ai ka kryer një takim me delegacionin e regjimit.

Palët takohen ndarazi me Misturan për shkak se delegacioni i regjimit nën drejtimin e Xhaferit ashtu si edhe në raundet e mëparshme ka refuzuar kërkesën për bisedime të drejtpërdrejta me opozitarët.

Opozitarët sirianë më 22-23 nëntor u takuan në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Rijad, dhe formuan një delegacion të ri negociatorësh të Komitetit të Lartë Negociator. Në deklaratën rreth takimit në fjalë ishte bërë e ditur se opozitarët kanë theksuar se procesi i tranzicionit në Siri nuk do të mund të fillonte nëse Bashar al Asadi nuk do të largohej nga detyra e tij.

Në bisedimet për Sirinë të cilat do të përfundojnë më 14 dhjetor, përfshihen katër tema kryesore, të cilat janë tranzicioni i qeverisë, kushtetuta, zgjedhjet dhe lufta kundër terrorizmit.