Policia e Shtetit ka refuzuar në disa raste të marrë përsipër mbarëvajtjen e aktiviteteve sportive, pasi shumica e stadiumeve apo mjediseve të tjera nuk përmbushin kushtet e sigurisë, duke qenë një ndër shkaqet që gjeneron dhunë në sportin shqiptar.

Ndaj, drejtori i Rendit Publik, Albert Dervishaj, thotë për TCH se, për këtë duhet të marrin masa urgjente federatat respektive dhe vetë klubet.

“Klubet dhe federatat duhet të kontraktojnë shërbimet e shoqërive private të ruajtjes fizike. Policia e Shtetit do jetë menaxhere e rendit në stadium, nuk do të bëjë punën e institucioneve të tjera”, tha Albert Dervishaj, drejtor i Rendit.

Që prej hyrjes në fuqi të ligjit të ri për sportin, 30 tifozë problematikë janë ndëshkuar me gjoba. Por, për të mos krijuar situata tensioni, si në rastin e takimit Partizani-Teuta, që u shty për disa minuta pasi disa tifozë u lanë jashtë stadiumit, policia thotë se do të zbatojë një masë që parashikohet në ligj.

“Në bazë të ligjit të Policisë, çdo qytetar duhet të ketë më vete në çdo vend dhe në çdo moment letërnjoftimin. Në këtë kontekst, edhe në aktivitetet sportive patjetër që duhet të paraqitet ID”, tha Dervishaj.